Numrit të rreth 250 ftesave për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale pritet t’iu shtohet edhe ajo për presidentin e vendit, Hashim Thaçi.
Kështu thotë kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, teksa shton se brenda muajit nëntor presin rreth tri aktakuza nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Gjithë këto ftesa, Gucati i cilëson si të papranueshme dhe thekson se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër.
Kryetari i veteranëve të luftës, thotë se sipas informacioneve jo zyrtare që posedojnë deri më tash janë rreth 250 ftesa për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale, e sipas tij disa prej tyre në cilësinë e të dyshuarve, por edhe me statusin e dëshmitarëve.
Ndërsa, avokati Artan Qerkini thotë se numri i shtuar i ftesave ditëve të fundit tregon se edhe Specialja është vënë para një presioni të atyre që po e sponsorizojnë. Teksa thotë se statusi i një personi gjatë hetimeve nuk është definitiv, pasi sipas tij mund të ndryshojë nga dëshmitari në të dyshuar dhe anasjelltas.
Ndërkaq sot, Gjykata Speciale ka ftuar edhe një ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shefqet Buçaj, i cili ka qenë ushtar në Zonën Operative të Pashtrikut.