Lideri në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka uruar ish-presidentin e vendit si dhe ish kryetarin e kësaj partie, Hashim Thaçi për ditëlindjen e tij të 53-të.
Hoxhaj përmes një postimi në Facebook ka thënë se në këtë ditëlindje janë të lënduar që nuk e kanë afër, por thotë se ndjehet krenar për atë që ai përfaqëson.
“Urime, president! Me 24 prill, 53 vite më parë, në Burojë të Drenicës u lind Hashim Thaçi. Një mik si asnjë tjetër dhe një lider i pakrahasueshëm që ndryshoi kursin e historisë së Kosovës duke u mishëruar përgjithmonë me të. Udhëheqja e luftës çlirimtare dhe shpallja e pavarësisë së Kosovës do të jenë përjetësisht të lidhura ngusht e të pandashme nga emri i tij. Në ditëlindjen e tij të 53-të, me zemrat e lënduara që nuk e kemi pranë nesh, por, padyshim krenar për atë që ai përfaqëson, i dërgojmë urimet më të ngrohta themeluesit të shtetit tonë”, shkroi Hoxhaj.
Ai uron që kjo të jetë ditëlindja e parë dhe e fundit që nuk e festojnë së bashku.
“Qoftë kjo ditëlindja e parë dhe e fundit që nuk e festojmë së bashku, president. Kosova të pret. Ne të presim”, shtoi ai.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot feston ditëlindjen e 53-të. Por, për dallim nga ditëlindjet e tjera, këtë do ta festoj në burg. Ai po mbahet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, që nga nëntori i vitit të kaluar. Aktakuza ndaj tij është ngritur në po këtë datë, para një viti.