Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qenë prezent sot në tubimin qendror në Deçan. I pritur nga mijëra simpatizantë, Haradinaj ka folur për planet e AAK-së për ekonominë, shëndetësinë dhe politikën e jashtme. Haradinaj, që është edhe kandidat për President, ka kapur edhe temën e dialogut me Serbinë.
“Punët e vështira të Kosovës i kanë ra në hise Deçanit dhe i ka kry Deçani, i ka kry qysh duhet. Edhe i ka kry edhe i ka ulë kryet, pra nuk është lavdëruar gjithë kohën se i kryem ne punët. Edhe punët që kanë mbetur për t’u kryer kemi me i kry, për me e kry borxhin që ia kemi vendit tonë”, tha fillimisht Haradinaj.
“Vuçiq mendon se duke flirtuar me Rusinë e Kinën, Amerika dhe aleatët tanë perëndimor kanë me e marrë me të mirë, por gabon. Serbia ka mujtë me qenë në BE para shumë vjetëve dhe me u zhvillu, por ai e ka lënë popullin e vet keq. Ndërsa ne si Kosovë e dimë se ku po duam të shkojmë, pra i kemi aleatët dhe synimet e qarta”, theksoi ai.
Haradinaj theks të veçantë në fjalimin e tij i dha anëtarësimit në NATO. “Ne po dojmë një kontratë kohore që ka të bëjë me hyrjen në NATO. Jemi në vitin e tretë të konsolidimit të ushtrisë sonë, plan ky që e kemi bë me Amerikën dhe është plan 10-vjeçar”, tha Haradinaj.
“Planet janë që në vitin 2024 ushtria e Kosovës të jetë e gatshme për anëtarësim në NATO. Nëse deri në këtë vit, kur ne i kemi përfunduar përgatitjet tona nuk janë hequr pengesat politike që vijnë nga Serbia, atëherë jam i bindur se aleatët tanë do ta shqyrtojnë seriozisht opsionin që unë e kam propozuar, që ne me kalu në rrugën tjetër tonën, e që është referendumi për union me Shqipërinë”, deklaroi Haradinaj teksa salla u elektrizua pas këtij zotimi të tij.