Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se lapidari i senatorit Bob Dole në kryeqytet, përpos që nderon mikun e madh të popullit të Kosovës, ai simbolizon edhe ngjarjen historike të 29 gushtit 1990, që shënoi kthesë të madhe e i dha orientim zhvillimeve që do të pasonin.
“Të kryesuar nga Bob Dole, senatorët amerikan vërtetuan prej së afërmi ndjenjat e një populli të robëruar, liritë e të cilit i kufizoheshin çdo ditë, mbijetesa e të cilit vihej në rrezik”.
“Aleanca e shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara, do të niste një kapitull të ri, i cili i kurorëzua me shumë suksese në dobi të demokracisë dhe të drejtës së shqiptarëve të jenë zot në shtëpinë e tyre”.
“Edhe pse në moshë të shtyer, Bob Dole vazhdon të jetë një luftëtar i devotshëm kundër komunizmit dhe shtypjes së popujve që ende nuk kanë realizuar aspiratat e tyre për liri e demokraci”, ka shkruar Haradinaj në rrjetin social Facebook.