Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në Interaktiv të KTV-së ka theksuar se dy partitë politike Vetëvendosje dhe LDK-ja po përmendin idenë e reciprocitetit me Serbinë, si “derë për t’u fshehur nga heqja e taksës”.
Teksa dy partitë opozitare kishin thënë se për gjithçka do të shkonin me reciprocitet karshi Serbisë, Haradinaj ka thënë se në rast se ai fiton sërish në zgjedhje “nuk do të heqë dorë nga taksa deri në njohje”.
“Kemi kaluar në vështirësi, por s’ndryshojmë drejtim për Kosovën. Kosova duhet të përmbyllë shtetësinë e taksa të rrijë deri në njohje. Taksa është rruga deri te njohja. Tregu. S’ka logjikë t’ia japim tregun Serbisë pa na njohur. Nëse e hapim tregun raporti është 99 me 1. Edhe ideja e reciprocitetit është që të fshihen prapa idesë për heqjen e taksës. Për ta hequr, për ta fshehur. Nëse vendosim reciprocitet Serbia mund të bëjë fleksibilitet dhe të pushtojë tregun tonë. Është një ikje nga taksa. Albini e LDK-ja e përdorin këtë reciprocitetin për t’i ikur taksës. Derë për ikje. Ne s’do ta heqim. S’është mirë të kthehet para njohjes”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.
Duke folur për taksën ai ka thënë se ka sfiduar edhe partnerët ndërkombëtarë e ata vendorë vetëm që “Kosova të mbajë tregun”. Këtu ka thënë se “s’ka qenë rastësi që është ftuar edhe nga Gjykata Speciale”.