Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, është takuar sot me të dërguarin Special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Sanees Bjornstad.
Haradinaj tha se në këtë takim ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut me Serbinë, ndërkohë ka përsëritur se negociatat duhet të vazhdojnë pa kushte dhe në kufijtë aktual.
Postimi i plotë:
Diskutim i hapur dhe shumë miqësor me përfaqësuesin Special për Ballkanin Perëndimor Arne Sannes Bjørnstad nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.
Në takimin bilateral me z. Bjørnstad, diskutuam mbi dinamikën e ardhshme të bashkëpunimit tonë, si rrjedhojë e një raporti të shkëlqyer deri tani me shtetin norvegjez, i cili ka qenë një partner i rëndësishëm i Kosovës në vazhdimësi.
Potencova faktin se Kosova me nivelin e treguar në zgjedhjet e 6 tetorit, në një proces kaq demokratik, fer dhe të drejtë, ka dëshmuar që është partner i Evropës, me të drejtë i takon kësaj familje të madhe dhe në këtë rrugëtim tonin, kërkojmë mbështetjen e Norvegjisë.
Theksova po ashtu rëndësinë e vazhdimit të dialogut me Serbinë, pa kushte, si proces i rëndësishëm për njohje reciproke, në kufijtë ekzistues dhe stabilitet në rajon.