Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj ka marrë iniciativën për ndërtimin e Memorialit të Vëllezërve Bytyçi në Prishtinë.
Iniciativa e tij ka marrë përkrahje dhe është vlerësuar si e duhur në nivelin vendor, por edhe nga diaspora shqiptare.
Iniciuesi i ndërtimit të memorialit, Daut Haradinaj, ka thënë se vëllezërit Bytyçi janë e vërteta e sakrificës tonë për liri dhe e vërteta e zezë e regjimit Millosheviqian.
“Ndoshta jemi vonuar si shoqëri për ndërtimin e një memoriali për vëllezërit Bytyçi, të cilët janë e vërteta e sakrificës së popullit tonë për liri dhe e vërteta e zezë e regjimit millosheviqian. Krahas nderimit që do i bëjmë heronjëve Bytyçi, do të jetë edhe një mesazh për drejtësi në shumë krime serbe të kryera në Kosovë. Më gëzon fakti që kjo iniciativë ka gjetur mbështetje në vendin tonë dhe në diasporën shqiptare. Në këtë projekt do të angazhohen arkitektë të shumtë vendorë të cilët do të jenë në koordinim të plotë me familjarët e vëllezërve Bytyçi. Kryeqyteti ynë do të zbukurohet shpejt me emrat e vëllezërvë Bytyçi” ka thënë Daut Haradinaj
Arkitekti i njohur kosovar, Blerim Çeku, është një nga ata që ka bërë planin ideor të ndërtimit të memorialit.
Qeku ka thënë se ndodhen në fazën fillestare dhe se janë duke kërkuar dokumentacionet urbane në Komunën e Prishtinës.
“Jemi në fazën fillestare. Na duhet të sigurojmë dokumentacione urbane, që të jetë gjithçka në përputhje me normat urbane. Kërkesa e inicuesve është që të bëhet me procedura të shpejta, por varet sa do të kryejmë punë me gjetjen e faktorëve ligjorë. Mendoj që ka simbolikë të veçantë ky ndërtim dhe ne më pas do të bëjmë diçka të veçantë. Na duhet po ashtu që shpejt të determinojmë edhe lokacionin se në cilin vend të Prishtinës do të ndërtohet memoriali”, ka thënë arkitekti Çeku.
Vëllezërit Bytyqi kanë qenë shtetas amerikanë dhe Uashingtoni ka kërkuar vazhdimisht drejtësi për ta. Trupat e pajetë të tyre janë gjetur në qershor të vitit 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sello në Serbi.