I nominuari për Kryeministër, Ramush Haradinaj, ka vizituar sot fshatin Loxhë të Pejës, ku ka folur me banorët e kësaj ane. Haradinaj ka folur për marrëdhëniet me ndërkombëtarët si dhe ka shpjeguar para tyre programin qeverisës.
Haradinaj ka thënë se amerikanët nuk hidhërohen kur Kosova është e vendosur që ta realizojë shtetin 100%. Sipas tij, është e kundërta, ata gëzohen për këtë fakt.
“Sa i përket marrëdhënieve me aleatët, është që interes jonë i madh është te jemi 100% shtet. Kujtohet që ne duhet me shku dhe me ia spjegu aleatëve dobinë që e kanë nga shteti ynë. Psh Amerika në bazë të asaj për çfarë ne qëndrojmë, ata e zhvillojnë politikën dhe raportin e saj me ne. Na nuk i idhnojmë ata, na i gëzojmë ata kur i themi që jemi për shtet 100%”, ka thënë Haradinaj para banorëve të Loxhës.
Haradinaj ka theksuar se më mirë është me dhënë dorëheqje një kryeministër se sa ta dëmtojë interesin nacional “Nëse një kryeministër e mbronë vetëm veten, bëhen dëme të paparashikueshme për shtetin”, ka theksuar ai. Haradinaj ka thënë se qeveria e tij e re do të merret me zhvillimin ekonomik, me fokus në sektorin privat. “
Në të ardhmen dojmë me zhvillu ekonominë, sektorin privat me zhvillu. Sektori publik është rahatu mirë, kemi Ligj për Paga, ka paga të rritura. Po duam që ta thjeshëzojmë burokracinë. Me u kriju një fond për sigurimin shëndetësor. Në arsim dojmë me u kujdes, që arsimi me u zhvillu bashkë me ekonominë. Jemi të vendosur që t’i bëjmë shtesat për fëmijë, me i përkrahë lehonat dhe nënat vetëushqyese”, ka thënë ai.
Po ashtu, i nominuari për Kryeministër ka bërë një rikujtim të punëve që ka kryer qeveria e tij në 18 muajt e kaluar. “Këto dy vjet që shkuan të qeverisjes, sado që në rrethana të vështira, kemi ushtri, që Kosova të mos mbetet pa mbrojtje. Trepçën e mbrojtëm. Edhe atyne që nuk prituan me na i rrënu shtëpitë, ia vendosëm taksën 100%. Taksa është me tregu se kush është zot shtëpie”, ka theksuar ai.