Ditën e sotme është marrë vendim që orari për gastronominë të zgjatet.
Në këtë mënyrë edhe klubet e natës dhe sallat e dasmave do të funksionojnë deri në ora 01:00, ku kapaciteti i njerëzve të lejuar brenda do jetë deri në 300 persona.
Por, vetëm pas dy ditësh, saktësisht më 14 korrik do të mbahej protestë ndaj këtyre masave në sheshin Skënderbeu ku të pranishëm do ishin edhe një pjesë e estradës të cilët edhe do të performonin.
Por, në një prononcim për Gazetën Online “Reporteri.net”, i pari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi ka thënë se tashmë kjo protestë është anuluar.
“Po protesta është anuluar, kemi të drejtë funksionimi deri në ora 01:00, dmth deri në këtë orë kemi të drejtë të lëshojmë muzikë, nga ora 01:00 deri në 01:45 duhet të bëjmë zbrazjen e klubit”, tha fillimisht ai.
Por, ai gjithashtu është shprehur se sa i përket kompenzimit financiar gjatë kësaj periudhe mbi një vjeçare nuk është folur.
“Sa i përket anës financiare nuk është përmendur sot, por kemi mbetur me shpresën që të bëhet edhe një takim tjetër”, përfundoi ai për Reporteri.net.