Greva, shkarkime, dorëheqje, zgjedhje…
14 janar – Të gjitha institucionet arsimore në Kosovë të të gjitha niveleve hynë në grevë të përgjithshme duke kërkuar që të ngrihet koeficienti për paga për 30 për qind, grevë e cila vazhdoi për tre javë dhe u ndërpre pasi u pajtuan për një marrëveshje “shumë afër kërkesave” me autoritetet përkatëse.
2 shkurt – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, liron nga detyra ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo, vendim i marrë pasi Partia Socialdemokrate e Kosovës (PSD) i kishte vënë qeverisë pesë kushte për t’u bërë pjesë e votimit të buxhetit të qeverisë, njëra ndër të cilat ishte dhe shkarkimi i ministrit nga komuniteti serb, Rikallo.
14 shkurt – Pas një takimi midis Delegacionit Shtetëror për Dialogun me presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, u finalizua Platforma për Dialogun me Serbinë, e cila sipas palëve paraqet “unifikimin e qëndrimit të institucioneve dhe Delegacionit Shtetëror në raport me pozicionin e Kosovës në dialogun për njohje me Serbinë”.
28 mars – Me 69 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës votoi projekt-ligjin që ndalon të gjithë lojërat e fatit në territorin e Kosovës, vendim i cili kaloi disa ditë pasi u kryen vrasje në kazino në Suharekë dhe në Lipjan.
9 prill – Kryeministri Ramush Haradinaj shkarkon ministrin e Administratës së Pushtetit Lokal nga komuniteti serb, Ivan Teodosijeviq, vendim i cili sipas kryeministrit, u mor pasi “Teodosijeviq kishte shprehur gjuhë të urrejtjes dhe ka fyer viktimat e Reçakut”.
15 prill – Kuvendi i Kosovës votoi me shumicë për formimin e një komisioni të veçantë, “i cili do të ndërmarrë hapa të mëtutjeshëm deri në krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar që do t’i gjykojë krimet serbe në Kosovë”, ide e cila sipas kryeparlamentarit Kadri Veseli, është në nderin dhe dinjitetin e Kosovës.
20 prill – Kthehen nga Siria në Kosovë 110 shtetas të Kosovës, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, task-forca për kthimin e të cilëve sipas ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, është udhëhequr me ndihmën e SHBA-ve dhe shteteve tjera aleate kundër terrorizmit.
19 maj – Në katër komunat me shumicë serbe (Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan) mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme, pasi kryetarët e katër komunave dhanë dorëheqje për shkak të tarifës 100 për qind të vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe. Pas përfundimit të procesit zgjedhjet i fituan të njëjtët ish-krerë të komunave.
28 maj – Policia e Kosovës bastisi 12 lokacione, kryesisht në veri të Kosovës ndërsa arrestoi 19 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të dyshuar për përfshirje në vepra penale si “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, “kontrabandim me mallra”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “dhënie e ryshfetit” dhe “tregti e ndaluar”. Të arrestuarit e dyshuar ishin 11 të komunitetit serb dhe nga katër të komunitetit shqiptar dhe boshnjak.
11 qershor – Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit, Madeline Albright, qëndruan në Kosovë me rastin e shënimit të 20-vjetorit të çlirimit të vendit. Presidenti Hashim Thaçi ndau medaljen “Urdhri i Lirisë” për ish-presidentin Clinton.
27 qershor – Gjykatës Kushtetuese e Kosovës vendosi në favor të lëndës së parashtruar nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me të cilën kontestohej si “jo kushtetues Ligji për Delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë”.
2 korrik – Fillojnë në Fushë Kosovë punimet për rehabilitimin e fazës së parë të linjës së dhjetë hekurudhore Prishtinë-Hani i Elezit që lidh Kosovën me Maqedoninë Veriore, e cila do të modernizojë 67 kilometra rrugë hekurudhore Prishtinë-Hani i Elezit dhe 13 stacione treni, shpejtësia e të cilave do të arrijë deri në 100 kilometra në orë.
19 korrik – Kryeministri Kosovës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje për shkak se, siç paralajmëroi në konferencën për media pas seancës qeveritare, “është i ftuar nga Gjykata Speciale në Hagë si i dyshuar” dhe se atje nuk dëshiron të paraqitet si “përfaqësues” i popullit të Kosovës.
22 gusht – Me votat e 88 deputetëve të Kuvendit të Kosovës u shpërnda Legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës, seancë e cila u thirr me kërkesë të 98 deputetëve.
26 gusht – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në bazë të përgjegjësive të tij kushtetuese dhe ligjore, shpalli 6 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
6 tetor – Mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në gjithë territorin e Kosovës, në të cilat parti fituese del Lëvizja Vetëvendosje (LV), e pasuar me një diferencë të ngushtë nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
17 tetor – Në Prishtinë protestohet para Ambasadës së Suedisë kundër dhënies së Çmimit Nobel shkrimtarit austriak Peter Handke, mbështetësit të Slobodan Millosheviçit. Protesta u përcjell me disa fotografi të masakrave gjatë luftës së vitit 1999 në vend, të urdhëruara nga Millosheviç në Kosovë.
24 tetor – Prokuroria Themelore në Prizren pranoi ekspertizën nga Zvicra për vdekjen e aktivistit Astrit Deharit dhe deklaroi se “një hetim i ri është i nevojshëm për t’i qartësuar rrethanat e vdekjes së Astrit Deharit”.
12 nëntor – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi takon në Paris presidentin serb Aleksandar Vuçiç në kuadër të Forumit të Paqes së Parisit, forum i cili ishte inicuar nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron, për të bërë bashkë protagonistë të qeverive e të qeverisjes nga e tërë bota dhe për të diskutuar ruajtjen dhe forcimin e paqes në botë.
26 nëntor – Me urdhër të presidentit të Kosovës, njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) u nisën në Shqipëri për të ndihmuar në zonat e dëmtuara nga tërmeti. Më vonë gjatë ditës edhe njësite të tjera të kërkim-shpëtimit u nisën nga Kosova në Shqipëri, e gjithashtu një numër i lartë qytetarësh filluan menjëherë mobilizimin për të ndihmuar të prekurit e tërmetit.
2 dhjetor – Prokuroria Speciale e Kosovës ngre aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special kundër gjashtë personave për disa vepra penale lidhur me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviç.
3 dhjetor – Në rezultatet e publikuara nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), Kosova renditet në vendin e 76 nga gjithsej 78 vendet pjesëmarrëse në testin e Programit për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA). Sipas rezultateve të OECD-it, në lexim, matematikë dhe shkencë Kosova renditet në vendin e tretë nga fundi, duke lënë prapa vetëm Republikën Domenikane dhe Filipinet.
5 dhjetor – Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi me dy vite heqje lirie ish-ministrin e Qeverisë së Kosovës, Ivan Todosijeviq, nën akuzat për “nxitje të urrejtjes, përçarje ose mos-durim kombëtar, racor, fetar apo etnik”, që kishte të bëjë me deklarimin e tij që quajti masakrën e Reçakut si trillim dhe shqiptarët si terroristë.
10 dhjetor – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i përgjigjet thirrjes nga Gjykata Speciale në Hagë ku shkoi dhe u intervistua, duke e quajtur këtë si “moment vendimtar për të rikonfirmuar pastërtinë e luftës së popullit tonë, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. /AA