Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari”, edhe sot po mbajnë grevë nga ora 8:00 e mëngjesit deri në 14:00. Bashkim Latifi, Kryetari i Sindikatës së Aeroportit në një prononcim për Gazetën Express ka thënë se rreth 700 punëtorë janë në grevë dhe se nuk do ta fillojnë punën pa u plotësuar kërkesat e tyre. Ai ka thënë tutje se kompania LIMAK që ka nën menaxhim Aeroportin e Prishtinës u ka thënë Sindikalistëve se nuk i njeh ligjet e Kosovës të cilave iu kanë referuar punëtorët ndërkohë ata kanë suspenduar 9 punëtorë. Ndërkohë menaxhmenti ka një version tjetër. Ata thonë se “nuk janë mbyllur operimet dhse se po vazhdojnë të kryhen të gjitha fluturimet.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Bashkim Latifi ka thënë për Gazetën Express se greva që po mbahet në ANP “Adem Jashari” është 100% e suksesshme.
“Ne edhe sot e kemi vazhduar ditën e tretë të grevës. Ne po kërkojmë që plotësohen kërkesat tona. Përgjegjësia bie mbi menaxhmentin. Pa u realizuar të drejtat tona ligjore ne nuk punojmë. Punëtorët nuk punojnë. Kjo është kërkesë e 700 punëtorëve.Dje menaxhmenti ka tentu që t’i hec pllakatat e grevës. E ka pa që është shkelje e rëndë. Sot nuk ka vepru njejtë” ka thënë latifi për Gazetën Express.
“Nëntë punëtorë të ANP’së tashmë janë suspenduar. Edhe pse menaxhmenti i aeroportit po thotë që jo, këtyre punëtorëve u kanë ardhur letrat se nuk lejohen që të kryejnë punën në vendet ku ata punojnë- pra kjo i bie suspendim” ka shtuar ai.
Tutje duke folur për grevën e djeshme Latifi ka thënë se dje kanë mbajtur grevë për dy orë.
“Puna është ndërprerë edhe sot prej orës 8:00 deri në ora 10:00. Punon ndonjë menaxher, ndonjë zëvendësmenaxher, ndonjë dajë i menaxherit, ajo është punë minimale që bëhet mirëpo greva është 100% e suksesshme. Të gjithë i janë bashkëngjitur grevës përpos menaxhmentit, ata po mundohen me zor me i çu valixhet por është gjithçka e mbyllur sipas planifikimit grevë është”, ka thënë Latifi.
Latifi ka thënë se si Sindikatë kanë pesë kërkesa për menaxhmentin e aeroportit.
“Kërkesat tona janë të na paguhet rrezikshmëria në punë, sepse është e garantuar me ligj të punës. Kërkesa e dytë është të ndalet diskriminimi në paga tek personat me ID të njëjtë, licensë të njëjtë, orë të punëve të njëjta dhe vend të punës të njëjtë. Kërkesa e tretë është të na paguhet 0.5% ose përvoja e punës. Kërkesa e katërt është të na paguhen orët e vikendit sepse menaxhmenti na fut në vikend me punu sepse rritet puna gjatë vikendeve 60 deri në 70% në krahasim me ditët e punës. Si dhe kërkesa e pestë është të na paguajnë shujtën sepse me 200 euro pagë nuk na del as bukë me ble. Pasi 200 euro pagë ka në aeroport” është shprehur Latifi.
Kryetari i Sindikatës së ANP “Adem Jashari” ka thënë se kërkesat me shkrim i janë përcjellur menaxhmentit të LIMAK-ut por të njëjtit kanë refuzuar të plotësojnë kërkesat e punëtorëve duke thënë se nuk i njohin ligjet e Kosovës.
“Kërkesat tona i janë drejtuar menaxhmentit të Limakut me shkrim. Refuzimi i tyre është se ne nuk i njohim ligjet e Kosovës, nëse doni ndonjë ndryshim të orarit të punës ose të orarit të autobusit ua bëjmë. Ujë ju japim, sheqer dhe çaj ndërsa kërkesat ligjore të cilat thirreni ju ne nuk obligohemi ndaj ligjeve që ju thirreni sepse ne nuk jemi nënshkrues të atyre ligjeve, kjo është përgjigjja që na kanë dhënë menaxhmenti qe shtatë muaj”, ka deklaruar Latifi për Express.
Valentina Gara, zëdhënësja e ANP “Adem Jashari” ka thënë operimet në Aeroport nuk janë mbyllur.
“Mirësisht informojmë udhëtarët tanë se ANP ‘Adem Jashari’ nuk ka mbyllur operimet, por vazhdon te procesojë te gjitha fluturimet dhe udhetarët” thuhet në në njoftim të ANP’së
Ndërsa në një përgjigje për Gazetën Express Gara ka thënë se nëse greva e punëtorëve do të jetë jashtë kornizave ligjore atëherë do të merren organet kompetente.
“Nëse greva do të jetë brenda kornizave ligjore, ne kemi marrë të gjitha masat. Në rast se do të jetë jashtë kornizave ligjore të grevës si kërcënimet apo pengesat e punonjësve të tjerë që dëshirojnë të punojnë atëherë duhet të mirren me ta organet kompetente” ka thënë Gara.
Ndërkohë Aeroportin tashmë janë duke e mbikëqyrur inspektorët për siguri të Aviacionit Civil dhe thonë se nuk ka probleme të cilat e cenojnë sigurinë duke konfirmuar MPB nuk e ka mbyll operimin e Aerportit.