Richard Grenell i kërkon Qeverisë së Albin Kurtit që ta heqë sa më shpejt tarifën ndaj Serbisë, derisa paralajmëron ‘lajme të reja’.
Emisari i presidentit amerikan, Donald Trump, për ndërmjetësim në dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka kërkuar nga Qeveria e re e Kosovës që të heqë sa më shpejt tarifën ndaj produkteve serbe.
Grenell, i cili është edhe ambasador i SHBA-së në Gjermani, ka thënë për Associated Press se “presin që tarifat të hiqen menjëherë”, transmeton Gazeta Express.
Ai thotë se është në interes të Kosovës që ta largojë tarifën prej 100 për qind që Qeveria Haradinaj ua kishte vënë mallrave serbe dhe boshnjake në nëntor të vitit 2018.
“Ne ua kemi bërë të qartë të gjithë liderëve partiakë në Kosovës se heqja e tarifave është në interes të Kosovës dhe dëshirës për të joshur biznese të reja”, është shprehur Grenell.
Ndërkaq, i deleguari i Trumpit, i cili së fundmi ka befasuar me ndërmjetësimin në arritjen e marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë – Beograd, paralajmëron lajme të reja.
“Kemi progres histori. Do të ketë njoftime të reja së shpejti sepse dy palët janë të interesuara të ecin përpara. Këto lëvizje do të krijojnë një jetë më të mirë për popujt e rajonit”, ka thënë Grenell.