Vetëm gjysma e punëtorëve të Trepçës marrin pagat, pjesa tjetër refuzojnë të punojnë
Minatorët e Trepçës sot kanë refuzuar të nisin punën, pasi menaxhmenti ua ka vendosur pagat vetëm gjysmës së punëtorëve.
Lajmin e ka konfirmuar Gani Osmani, anëtar i kryesisë së Sindikatës së Trepçës
“Një pjese të punëtorëve që punojnë në prodhim pra në minierë u kanë dalë pagat, ndërsa një pjese tjetër që edhe ata janë të lidhur me minierë, me administratë, me makineri, me flotacion nuk u kanë dalë askujt pagat”, ka thënë ai për Front Online.
Ai ka treguar se punëtorët të cilët kanë mbetur pa paga janë takuar me kryeshefin dhe se i njëjti u ka thënë që të presin deri të mërkurën, për shkak që nuk kanë mjete të mjaftueshme.
“Gjatë ditës së djeshme punëtorët e flotacionit kanë qenë duke punuar, në momentin që nuk ju kanë dalë pagat e kanë ndalë punën dhe kanë thënë jemi të pakënaqur e kanë thirr kryeshefin e drejtorët, e kryeshefi iu ka thënë se nuk kemi mjete dhe duhet të pritni deri të mërkurën”, është shprehur ai.
E, kjo ndarje sipas Osmanit po krijon pakënaqësi te punëtorët.