Rezervisti i ushtrisë që hapi zjarr në një sallë boulingu dhe në një kafene në Luiston, Mein, duke vrarë 18 persona, u gjet i vdekur nga një plagë e vetëshkaktuar me armë zjarri, duke i dhënë fund kërkimit dyditor të autoriteteve.
Robert Card, instruktor i armëve të zjarrit, u gjet i vdekur afër Ujvarës Lisbon, tha guvernatorja Janet Mills, gjatë një konference për media.
“Sikurse shumë persona të tjerë, sot po marr frymë lirshëm duke e ditur se robert Card më nuk paraqet kërcënim për askënd”, tha Mills.
Shefi i Departamentit për siguri të publikut në Policinë në Mein, Mike Sauschuck, tha se Card u gjet në orën 19:45, sipas kohës lokale, në lumin Androscogin, rreth 13 kilometra në juglindje ku ndodhën të shtënat e dyta mbrëmjen e së mërkurës.
Guvernatorja Mills tha se ka telefonuar presidentin, Joe Biden, dhe e ka informuar se Card është gjetur i vdekur.
Këto ishin të shtënat më vdekjeprurëse në historinë e Mein, ku jetojnë 1.3 milion banorë. Në Luiston, 37.000 banorët dhe komunitetet përreth u udhëzuan që të qëndronin brenda shtëpive të tyre, përderisa forcat e rendit kërkonin të dyshuarin.
Card, 40 vjeç, ishte rezervist në ushtrinë amerikane. Vitin e kaluar ai i ishte nënshtruar një vlerësimi të shëndetit mendor, pasi kishte filluar të sillej çuditshëm gjatë trajnimeve, thanë zyrtarët amerikanë për AP-në. Pas sulmit u tha se Card kishte qenë i shtrirë për dy javë në një spital të shëndetit mendor pasi “kishte dëgjuar zëra dhe dhe kishte kërcënuar se do të shtinte me armë zjarri” në një bazë ushtarake.
Të shtënat në Luiston ishin rasti i 36-të i vrasjeve masive në SHBA gjatë këtij viti./rel