Komisioni Qendror Zgjedhor në mbledhjen e sotme nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me mbi 4 mijë e 500 dërgesat që kanë arritur pas afatit ligjor nga mërgata dhe për 3 mijë e 782 zarfeve të ardhura nga Serbia të cilat janë dorëzuar fizikisht dhe jo përmes postës.
Mosmarrjen e ndonjë vendimi OJQ ‘Germin’ po e quan si standard të dyfishtë që KQZ përdorë për të mos pranuar pakot e diasporës. Në të njëjtën kohë kjo organizatë po kërkon që pakot e ardhura nga Serbia të hetohen.
Liza Gashi nga kjo organizatë thotë se KQZ me mosmarrjen e vendimit po i krahason votat e mërgatës me ato të ardhura nga Serbia.
“Mendoj që është standard i dyfishtë që KQZ vazhdimisht e ka përdorur për mospranimin e pakove të diasporës, duke i relativizu gjithë procesin me idenë që pakot e diasporës janë njëjtë si Serbia. Jo, pakot e diasporës kanë ardhur në mënyrë individuale dhe janë dërguar. Mos të harrojmë bashkatdhetarët tanë kanë bërë pagesë të madhe, po në të njëjtën kohë janë regjistruar pa marrë parasysh çfarë procesi dekurajues iu kemi qitë përpara. Do të thotë duhet me e marrë për bazë faktin që ata i kanë hy një procesi i cili u kanë i stërzgjatur e para, e dyta në momentin kur e kanë dërguar votën, fletëvotimi që nuk ka ardhur në kohë nuk është për fajin e tyre, mbetet në pjesën operacionale që ka pasur pengesa, një prej rasteve është falimentimi i ‘Adria’ dhe pengesa postare që njerëzve nuk iu ka mbërritur vota në kohë”, tha ajo, për Kosovapress.
Ajo thotë se gjatë procesit të monitorimit kanë vërejtur se ato zarfe që kanë ardhur me vonesë janë nisur me postë rreth dy javë para datës së zgjedhjeve, duke potencuar se një numër i konsiderueshëm i tyre janë dërguar me datë 19, 20 dhe 21 shtator.
Gashi ka ripërsëritur kërkesën e tyre që këto vota të ardhura me vonesë të vlerësohen dhe të numërohen, pasi sipas saj, mospranimi i votave do të nënkuptonte cenim të të drejtës kushtetuese për të votuar.
“Ne i kemi drejtuar një kërkesë kryetares së KQZ-së, kemi kërkuar që me i verifikua mbi 4 mijë e 500 pakove që kanë ardhur prej diasporës dhe i kemi listuar arsyet tona pse, normalisht një institucion serioz ish dashtë me marrë parasysh faktin që një kompani ajrore e madhe si ‘Adria’ ka falimentuar, jo kur këta e kanë bërë aprovimin e planit operacional, mbasi që ka filluar komplet procesi. Ne kemi rastisur në kuadër të monitorimit që aty ka zarfe që janë dërguar me 19 shtator, me 19 shtator është dita e parë kur ka dal fletëvotimi online që ke mundur me e shkarkua. Do të thotë ka persona të cilët ditën e parë e kanë dërguar zarfin e tyre dhe ajo nuk ka arritur në kohë, tash a është faji i tyre, nuk është faji i tyre se ata kanë paguar, e kanë kryer punën e tyre, mos pranimi i tyre është cenim i të drejtës së votës për ta”, tha Gashi.
Sa i përket zarfeve të pranuara nga Serbia, Liza Gashi nga ‘Germin’, thotë se të gjitha zarfet kanë ardhur me madhësi, ngjyrë dhe mbishkrim të njëjtë, gjë që lë hapësirë për dyshim se këto zarfe janë plotësuar dhe dërguar në mënyrë të orkestruar në adresë të KQZ-së.
Po ashtu, ajo thotë se ka edhe një jokonsistencë në dokumentet identifikuese brenda këtyre zarfeve, duke hasur në dokumente të cilat identifikojnë dy persona të ndryshëm nga ana e përparme dhe ajo e pasme e kartës identifikuese.
“Ne si ‘Germin’ e monitorojmë procesin e votës së diasporës dhe si monitorues kemi pa që të gjitha zarfet, ngjyrat, shumë thjeshtë mostrat janë të njëjta. Ashtu që, ne dyshojmë në atë proces e para, e dyta fakti që ato vota kanë ardhur me postë direkt në Kosovë prej një personi e jep standardin e dyfishtë, do të thotë ne mërgimtarëve tanë nuk po ua pranojmë fletëvotimet se kanë ardhur me një ditë mbrapa, ndërsa 3 mijë e 700 pako të Serbisë po i pranojmë të premten me të 4 që kanë ardhur krejt bashkërisht dhe kanë qenë krejt të paketuara në formatin e njëjtë. Do të thotë ato janë zarfe shumë mirë të mbushura prej pjesës së tyre, ndërsa kjo për mua është një standard i dyfishtë që KQZ e ka bërë edhe në të kaluarën, kështu që nuk dyshoj që ndoshta vazhdon me e bë, por ne kërkojmë që kjo praktikë të ndalet. Nuk është në rregull me e diskriminua diasporën, ndërsa me përdor standard të dyfishtë për votat që vijnë prej shtetit të Serbisë”, u shpreh ajo.
Gashi kërkon nga KQZ që të hetojë të gjitha dërgesat që kanë ardhur nga Serbia, pasi thotë se ato nuk janë vota të vullnetit të një qytetari.
“Ne e ftojmë KQZ-në me i investigu ato vota, këta të marrin një vendim profesional në bazë të investigimit. Fakti se këta i kanë përcjell e dinë saktë që kanë ardhur në mënyrë të orkestruar, janë të renditura në mënyrë të orkestruar dhe e kanë komplet formatin e njëjtë. Nuk di çfarë ligji kërkojnë që me e kuptua që këto nuk janë vota të vullnetit të një qytetari, janë vota të një grupi specifik që donë me e ofrua kauzën e tyre këtu”, deklaroi ajo.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror Zgjedhor nuk arriti të merrej ndonjë vendim rreth votave të arritura me vonesë nga mërgata dhe atyre nga Serbia, pasi që disa nga anëtarët e KQZ-së kërkuan që të respektohet ligji në të dyja rastet. Por, pati edhe anëtarë të cilët kërkuan që votat e mërgatës të procedohen si të rregullta, ndërsa ato nga Serbia të hetohen./kp/Telegrafi/