Pas Haki Rugovës, cak i organeve të hetuesisë po del të jetë edhe kreu i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri. Ai në një prononcim për Gazetën Express ka konfirmuar se edhe vetë është në dijeni që ndaj tij janë duke u zhvilluar hetime për 3 vjet me radhë.
Megjithatë zyrtari i LDK’së thotë se s’ka asgjë rreth kësaj pune dhe se është i gatshëm t’i pres sikurse “luani që e pret miun”.
Kreu i Pejës me nervozizëm ka përmendur kapjen e shtetit dhe ka potencuar se është i gatshëm edhe për zgjedhje të cilat thotë se do t’i fitojë.
“Qe tri vjet jam në hetime, s’ka kurgjë prej kësaj pune….Ajo lëndë ka qenë që tri herë, edhe këta që e kanë kap shtetin kujtojnë që munden me bë në këtë punë. Po i pret Gazmendi ballëhapur, sikurse luani që e pret miun. Me ju thënë këtyre kriminelëvë që gati jam edhe për zgjedhje të ardhshme me i fitu gjithmonë kanë me pas Gazmendin të fortë me i dal përpara”, tha ai për Gazetën Express.
Dje Prokurori nga Peja, Agron Galani, për “Objektivin” ka konfirmuar se janë duke përpunuar një raport dhe se aktualisht nuk kanë diçka për të shtuar.
“Është në raport jemi tu punu në të, kur të ka diçka ju lajmëroj. Është në përpunim e sipër, është në procedurë paraprake tash e kqyrim nuk mund të themi asgjë përpara”, ka thënë të hënën Galani.
Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, në një konferencë të përbashkët me Besnik Berishën gjatë të dielës, teksa folur për prangosjen e Haki Rugovës, ka përmendur edhe Pejën si cak të mundshëm të Prokurorisë.
Mustafa kishte thënë se njejtë siç është vepruar me Istogun, mund të veprohet edhe me Pejën, por pa treguar nëse ka njohur që edhe ndaj Gazmend Muhaxherit po zhvillohet ndonjë hetim.
Sipas kryetarit të LDK’së, nëse Prokuroria merr për detyrë që të diktojë zgjedhjet në Istog e Pejë, rrezikohet demokracia.
“Nëse prokurori e merr rolin e diktimit të zgjedhjeve në Komunën e Istogut, e nesër në komunën e Pejës, sepse është e lidhur me një parti politike, rrezikohet demokracia”, kishte thënë Mustafa.