Gazeta e përditshme spanjolle me bazë në Barcelonë, Mundo Deportivo, ka vendosur ta kujtojë ditën kur Bayern Munich e kishte mposhtur 9:1 Real Madridin në një ndeshje miqësore para 40 vjetëve, vetëm dy ditë pasi gjiganti gjerman e turpëroi 8:2 klubin e Barcelonës në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
“Para 40 vjetëve (më 5 gusht 1980), Bayern, i cili të premten e eliminoi Barcelonën nga Liga e Kampionëve duke e turpëruar 8:2, kishte lënë njollë të zezë edhe në Real Madridin, edhe pse jo në një ndeshje zyrtare”, shkruan Mundo Deportivo, një gazetë e afërt me klubin e Barcelonës.
Eliminimi turpërues nga Liga e Kampionëve pas një paraqitjeje tejet të dobët dhe të tmerrshme kundër Bayern Munich ishte fundi i një epoke në Barcelonë të premten
Gjiganti katalonas u gozhdua nga shtypi botëror dhe ai spanjoll për paraqitjen turpëruese në Lisbonë
Dy ditë më vonë, gazeta e afërt me klubin katalonas ka zgjedhur të kundërpërgjigjet në njëfarë mënyre duke u munduar ta krahasojë një humbje të thellë të rivalit të përjetshëm të Barçës, Real Madridit ndaj kundërshtarit të njëjtë.
Por humbja e Real Madridi ishte në një ndeshje miqësore që nuk mund të krahasohet me një çerekfinale në garën më prestigjioze evropiane për klube.
“Gjermanët u dukën si aeroplanë”, e citon Mundo Antonio Garcia Navajasin të ketë thënë, ish-mbrojtësin e Real Madridit në atë takim.
“Në sezonin 1980/81, Real Madridi e arriti finalen e Kupës Evropiane, por humbi 1:0 kundër Liverpoolit në një vit hidhërues për të bardhët”, e mbyll shkrimin Mundo Deportivo.