Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pritet të rinisë në muajin qershor. Kjo u konfirmua nga kryeministri Albin Kurti por edhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell pas takimit që pati në Bruksel me Kurtin,
Kurti në vazhdimësi ka kërkuar bashkëpunimin e opozitës për këtë çështje. Sinjali ka kontaktuar Shefin e Grupit Parlamentar të LDK-së, për të mësuar nëse do të ketë bashkëpunimin e LDK-së Qeveria Kurti.
Arben Gashi, tha se LDK-ja është e gatshme të debatojë rreth dialogut, dhe nuk do të veprojë njëjtë si Kurti i cili sipas tij, kur ishte në opozitë nuk bashkëpunoi.
“Opozita nuk do t’i përgjigjet me deklaratë, një deklarate të Kryeministrit që ka për qëllim fshehjen nga detyrat e tij kushtetuese. Ne do të veprojmë konform detyrave tona kushtetuese në Kuvendin e Republikës. Ne jemi të gatshëm të debatojmë e diskutojmë për dialogun dhe secilën temë tjetër në Kuvendin e Republikës, edhe pse Kryeministri i sotëm e opozitari i djeshëm nuk ishte aspak bashkëpunues kur pikërisht kjo i kërkohej. Është detyrë kushtetuese e Kryeministrit të merret me dialogun” u shpreh Gashi.