Për vetëm një vit, kompania Telekom ka arritur që t’i japi fund marrëveshjes së dëmshme dhjetë vjeçare me Z-Mobile, ka stopuar punësimet partiake, derisa, ka kthyer në pronësi të saj mbi 200 mijë numra. Në një intervistë për Gazetën Express, krye shefi i Telekomit, Bedri Istrefi ka numëruar sfidat dhe sukseset e kompanisë.
Viti 2019-të, mund të konsiderohet vit suksesi për kompaninë që dikur ishte më profitabilja në vend, e që është duke bërë rrugë për kthimin e lavdisë.
Telekomi i Kosovës ka përfunduar me sukses betejën 10 vjeçare me Dardafonin, derisa, edhe pas kërcënimeve për dërgim te përmbaruesi e për ngrirje të llogarive, nga kjo kompani nuk e kanë vazhduar këtë kontratë, që është raportuar se i ka shkaktuar humbje milionëshe për një dekadë.
Me datë 30 korrik kur edhe ka përfunduar zyrtarisht kontrata, nga Telekomi i Kosovës kanë njoftuar se pas disa hulumtimeve që janë bërë, ka rezultuar se një marrëveshje e tillë e ka futur kompaninë në krizë financiare.
Shkëputja i dha fund humbjeve, që sipas raportimeve kishin shkuar në 104 milionë derisa, Z-Mobile kishte dalë në fitim më shumë se 79 milionë euro. Mirëpo, shkëputja e kësaj kontrate të dëmshme nuk është i vetmi sukses i kompanisë.
Pas përfundimit të kontratës, nga ky institucion janë siguruar që mbi 200 mijë numra të Z-Mobile të kalojnë në platformën e Valës. Kjo pas vendimit që e kishte marrë Bordi Drejtues i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP). E gjithë kjo u tha se do të ketë ndikim për stabilitet financiar në kompani.
Ndërkohë, nga menaxhmenti i Telekomit kanë njoftuar se miliona euro janë kursyer, me ndërprerjen e disa kontratave që ishin nënshkruar për marketing.
Në një intervistë për Gazetën Express, krye shefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi ka folur për sfidat që ka kaluar kompania publike gjatë këtij viti.
Istrefi thotë se viti 2019 ka qenë sfidues në të gjitha sferat për arsye të problemeve që janë mbledhur për gati dy dekada.
“Viti 2019 ka qenë shumë sfidues në të gjitha sferat brenda Telekomit për shkak të problemeve që janë mbledhur gati për dy dekada, shumica prej tyre sfidave kanë pasur epilog pozitiv. Normalisht që çështje kryesore e vitit ka qenë padyshim rikthimi i numrave të operatorit virtual Z-Mobile proces ky i mbyllur me shumë sukses.
I njëjti proces është përcaktuar edhe nga autoriteti përgjegjës që të mbyllet me 28 të muajit të kaluar dhe ashtu ka ndodhur. Asnjë konsumator i këtij operatori virtual në asnjë moment nuk ka mbetur pa shërbime dhe të gjithë kanë marr minuta dhe GB internet falas në shenjë mirëseardhje.
Impakti financiar i rikthimit të numrave është i dukshëm dhe në planin afatgjatë i njëjti do të ketë edhe më shumë ndikim në aspektin financiar”, ka deklaruar ai.
Kryeshefi i Telekomit thotë se negocimi i kontratës me operatorin NOKIA për mirëmbajtje të rrjetit, e kalimi në kodin e ri është si rezultat i angazhimit intensiv për stabilizim të operimeve.
“Një sukses i jashtëzakonshëm është negocimi i kontratës me operatorin NOKIA për mirëmbajtje të rrjetit dhe kalim në kodin e ri. Krahas kësaj si rezultat i angazhimit intenziv për stabilizim te operimeve dhe realizim te tranzicionit ne kodin shtetëror, është arrit marrëveshja me Monaco Telecom që të përkrahet ky tranzicion .
Ky akord, gjithashtu, do të rezultojë me kosto të ulura deri ne -60% deri në implementim të plotë të kodit shtetëror me që rast do të lirohemi nga te gjitha obligimet kontraktuale”, thotë ai.
Istrefi shpjegon se për herë të parë pas 20 viteve, Telekomi ka arritur që të formojë ekipe për montimin, demontimin dhe zhvendosjen e antenave. Kjo ka bërë që të kursehen qindra mijëra euro.
“Në anën tjetër për herë të parë në njëzet vjet të funksionimit të Telekomit të Kosovës, kompania ka arritur që me stafin e vet, të formojë ekipe për montimin, demontimin dhe zhvendosjen e antenave BTS, sipas nevojës dhe planifikimeve nëpër tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Në muajt e fundit, numri i antenave të zhvendosura për qëllim të mbulueshmërisë, pas ndërprerjes së kontratave për qiradhënie, arrin në dhjetëra.
Me ndërprerjen e kontratave për këto antena (BTS) dhe zhvendosjes së tyre në lokacione më të përshtatshme, Telekomi i Kosovës ka kursyer nga puna e stafit më shumë se 200.000 €, ndërsa kursimet mujore për antena, janë shumë të mëdha”, thotë ai.
Gjatë vitit 2019-të Telekomi i Kosovës ka arritur që si kontraktues t’i ketë të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare, që kanë besim në shërbimet e ofruara.