Prishtina ka marr një fitore të madhe ndaj Trepçës ’89, duke shënuar në kohën shtesë për 2-1.
Drita ka mposhtur Besës siç ishte pritur me rezultat 3-1, duke u kthyer në pozitën e parë.
Ballkani ka humbur nga Llapi si mysafir me rezultat 1-0, ndërsa Gjilani dhe Drenica kanë luajtur pa gola.
Fitore të madhe ka marr edhe Feronikeli si mysafir i Arbërisë me rezultat 3-0.
Redaksia e Telegrafi Sport ka zgjedhur formacionin më të mirë, duke u bazuar në paraqitjet individuale të lojtarëve.
Portieri i javës
Florjan Smakiqi: Ai u kthye si startues te Feronikeli, pasi disa javësh në stol. Kjo lëvizje e Klodian Duros doli e qëlluar, pasi portieri drenicas nuk pranoi gol. Ai bëri disa prite të madha, por në disa raste e kishte edhe fatin me vete.
Mbrojtja
Azem Bejta: Nëse Drenica ka një futbollist që sa herë është në fushë jep maksimumin ai është mbrojtësi Azem Bejta. Edhe kundër Gjilanit ishte i pakalueshëm, ku në dy raste shpëtoi edhe golin. Drenica mori një pikë të vlefshëm ndaj Gjilanit.
Lumbardh Dellova: Mbrojtësi i Prishtinës ishte i jashtëzakonshëm, sikurse që ka ditur shpesh të jetë këtë vit. Ai përveç që bëri paraqitje të madhe në “Riza Lushta”, shënoi edhe gol. Dellova këtë sezon po tregon që është një nga goditjet e mëdha të Prishtinës.
Argjend Malaj: I kthyer në pozitën e mbrojtësit Malaj që është mesfushor, bëri një paraqitje shumë të mirë ndaj Arbërisë. Malaj shënoi golin e parë në fitoren e Feronikelit 3-0. Edhe pse tani mbrojtës, duket se është adaptuar mjaftë mirë.
Mesfusha
Erlis Frashëri: Mbrojtësi shqiptar kishte paraqitjen e tij më të mirë prej se u bashkua me Drenicën. Depërtimet dhe pasimin e tij ishin shumë të sakta, por disa herë bashkëlojtarët e tij shpërdoruar, çka nuk humbet. Ai ishte prej më të mirëve, ku Drenica mori një pikë të merituar ndaj Gjilanit.
Qëndrim Zyba: Mesfushori i Prishtinës, në secilën ndeshje që po luan po tregon çdo herë e më shumë. Ai ndaj Trepçës ’89 asistoi në të dy golat që i shënoi Prishtina. Me pak fat ka mundur edhe të shënohet në listën e realizatorëve. Zyba vrapon shumë, krijon, por edhe di të mbrohet.
Arbnor Ramadani: Nëse Llapi ka një futbollist që këtë vit ka qenë konstant në fortë, ai është mesfushori Arbnor Ramadani. Në ndeshjen ndaj Ballkanit ishte vendimtar, pasi një pasim i tij në thellësi u kthye në gol. Edhe kur Llapi mbeti me 10 lojtarë ai vrapoi shumë, duke bërë që rezultati të ruhet.
Leonit Abazi: ‘Heroi’ i Prishtinës në Mitrovicë. Ai shënoi në minutën e gjashtë shtesë për 2-1, ku kryeqytetasit i morën tri pikë të arta. Edhe gjatë lojës Abazi ishte prej më të mirëve, ku me shpejtësinë e tij krijoi mjaftë probleme në krahun e majtë.
Sulmi
Xhevdet Shabani: Sulmuesi anësor u kthye në ditët e tij më të mira edhe pse ndaj një rivali të dobët si Besa. Ai arriti të shënojë dy gola të bukur, njëri prej tyre mjeshtëror nga goditja e dënimit. Drita pret më shumë nga Shabani dhe ky duket një sinjal nga njëri prej lojtarëve më të mirë të tyre.
Mendurim Hoti: Sulmuesi ndaj Arbërisë ishte ai që jemi mësuar ta shohim. Ai rrezikoi disa herë portën kundërshtare, sidomos me goditje nga distanca. Fati deshi që të shënojë vetëm një herë, por e mjaftueshme për të qenë prej më të mirëve të kësaj jave.
Edon Sadriu: Edhe pse u fut në pjesën e dytë arriti të lërë gjurmë në derbin e javës së 22-të. Ai në mënyrë maestrale ia vodhi kohën mbrojtësit me përvojë të Ballkanit, Arbër Prekazi, duke shënuar golin e vetëm të takimit. Pas golit ai ndihmoi shumë që rezultati të mos ndryshojë.
Trajneri i javës
Tahir Batatina: Trajneri llapjanas e fitoi derbin e javës dhe atë pa një lojtar nga minuta e 60-të. Llapi kishte mbetur me 10 veta, kur portieri Coric u ndëshkua me të kuq në fillimin e pjesës së dytë. Me 10 veta ai arriti të shënojë dhe të ruajë rezultatin, duke marr tri pikë të mëdha në luftë për mbijetesë.
Formacioni i javës