Përfaqësuesi i Kombëtares së Kosovës në Futboll, Florent Hadërgjonaj, ka thënë se i mungojnë stadiumet me tifozë.
Ai ka thënë se në këtë drejtim ekstra vërehet mungesa e Dardanëve sidomos në stadiumin “Fadil Vokrri”, njofton Klan Kosova.
“Pa tifozë qe një vit po bëjmë ndeshje, si masë kundër koronavirusit. Me kombëtaren po na mungojnë shumë. Kur luajmë në “Fadil Vokrri” atmosfera është fantastike dhe na japin ekstra energji tifozët. Edhe ne po e ndjejmë si lojtarë mungesën e tyre. Po na mungojnë shumë”, ka thënë Hadërgjonaj në SportsShow në Klan Kosova.
Ai ka pohuar se Kosovës i ka thënë “Po”, duke lënë Zvicrën, shtetin që thotë se i dha gjithçka, për disa arsye të cilat i përmend.
“Për mua arsye ka qenë ekipi, për ata i kam thënë “Po” Kosovës. Kam njohur goxha do lojtarë. Atmosferën e kemi shumë të mirë në ekip. Janë disa arsye”.
“Zvicra m’i ka dhënë gati të gjitha. Kam luajtur për grupmoshat më të vogla në Zvicër. Kam luajtur lojë për Zvicrën. Kam qenë në bisedime me Bernard Challandes dhe Agim Ademin dhe kemi biseduar gjatë derisa është marr vendimi. Nuk kam dashur probleme me Zvicrën dhe gjithçka u bë mirë dhe jam i kënaqur që jam pjesë e Kosovës”, ka deklaruar ai.