Një grua është therrur tetë herë me thikë nga bashkëshorti i saj në parkun e qytetit të Gjakovës.
E gjithë ngjarja ishte zhvilluar në sy të fëmijëve.
Menjëherë pasi e kreu këtë vepër, 42 vjeçari iku nga vendi i ngjarjes duke e lënë viktimën të shtrirë për tokë.
Por, krejt këtë i dyshuari duket se e kishte bërë me plan me pretekstin se gruaja me të cilën janë në procedura shkurorëzimi e ka tradhtuar. Kjo pasi i njëjti e kishte kërcënuar me jetë të dëmtuarën vetëm pak orë para se të kryente këtë vepër.
E emri i të dyshuarit është i njohur për organet gjakovare të drejtësisë. I njëjti kishte dy raste të hapura më 2019 e 2020 për dhunë fizike ndaj të njëjtës grua, kryesisht për motive xhelozie.
Madje, nga burime brenda prokurorisë mësohet se M.J kishte urdhër mbrojtës që bashkëshortes të mos i afrohet më afër se 3 metra.
Të gjithë ngjarjen për Klan Kosovën e ka treguar vetë viktima e cila bën apel që rastet e tilla të raportohen në polici, por njëkohësisht u bën thirrje organeve të rendit të ndërmarrin veprime ligjore për raste të tilla.