Kompania publike “Termokos” ka nisur intervenimet e domosdoshme në rrjetin termik në lagjen Ulpianë, përkatësisht në segmentin që furnizon me ngrohje institucionin parashkollor “Çerdhja Fatosat”.
Kryeshefi i Termokosit, Fisnik Osmani, ka bërë të ditur se këto punime janë pjesë e planit aksional për sezonin e ardhshëm të ngrohjes dhe kanë për qëllim përmirësimin dhe modernizimin e rrjetit gypor.
“Në kuadër të planit aksional për sezonin e ardhshëm të ngrohjes, filluam intervenimet e nevojshme në rrjetin gypor, i cili furnizon me ngrohje Çerdhen Fatosat. Falënderim i thellë për kolegët tanë në ngrohtore, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm po implementojnë planin aksional”, ka deklaruar Osmani.
Sipas tij, këto ndërhyrje do të sigurojnë një furnizim më të qëndrueshëm me energji termike dhe do të kontribuojnë në përmirësimin e efikasitetit energjetik në këtë zonë.
Përmes këtij investimi, Termokos vazhdon përkushtimin për ta bërë Prishtinën një kryeqytet më të gjelbër dhe me shërbime publike më të mira.