Një vepër arti do t’ua tërheqë vëmendjen të gjithë kalimtarëve nga trafostacioni i KEDS-it që gjendet në Ulpianë.
Kjo, pasi trafostacioni është shndërruar tashmë në një objekt modern me pamje ultra urbane nga artistët ndërkombëtarë përmes artit grafik.
E gjitha është pjesë e projektit Art n’trafo që po e bëjnë bashkarisht KEDS-i, Komuna e Prishtinës dhe organizata e artistëve Q’art.
Në kuadër të këtij projekti po bëhet pikturimi i 10 trafostacioneve në Prishtinë me synimin që në një të ardhme të afërt numri të arrijë në 20 të tillë.
Qëllimi është që trafostacionet të shndërrohen në objekte urbane duke i dhënë jetë dhe gjallëri lagjeve ku ata janë të alokuar.
KEDS fillimisht po bën përgatitjen e tyre përmes lyerjes së plotë për pikturim nga artistët ndërkombëtarë dhe vendorë. Pastaj artistët janë të lirë të jetësojnë veprat e tyre varësisht nga inspirimi i tyre.
KEDS ka siguruar edhe materialet për vizatim për artistët e angazhuar nga Q’art, përderisa për artistët është duke u përkujdesur edhe Komuna e Prishtinës.
Kjo nuk është iniciativa e parë për pikturimin e trafostacioneve nga KEDS. Projekte të tilla janë zhvilluar edhe para disa muajve ku janë ngjyrosur dhe pikturuar disa trafo.