Nis puna për realizimin e hekurudhës Durrës-Prishtinë, tashmë është shpallur kompania fituese e cila do të realizojë studimin e fizibilitetit për linjën hekurudhore e cila pritet te këtë ndikim të rëndësishëm në ekonominë e dy vendeve, Kosovë-Shqipëri. KosovaPress merr vesh se mes pesë ofertave, fituese është shpallur ajo e bashkimit të dy kompanive, konzorciumi “ILF Consulting Engineers Austria GmbH” – ABKONS SH.P.K. që ofruan 168.9 milionë lekë nga 200 milionë lekë (20 milionë euro) që ishte tavani për të realizuar projektin që do të lidhë dy vendet me linjë hekurudhore, Kosovën dhe Shqipërinë.
Drejtues të Ministrisë së Infrastrukturës në Kosovë nuk kanë qenë të qasshëm për kp lidhur me këtë projekt.
Konzorciumi do të këtë afat 14 muaj për të bërë studimin e fizibilitetit dhe për të ndërtuar projekt idenë e hekurudhës Durrës-Prishtinë. Ndërsa, më 2025-ën projekti do të jetë gati për të nisur më pas punën në terren.
Bashkimi i operatorëve që fitoi ishte skualifikuar herën e parë nga autoriteti kontraktor, por pas ankimimit Komisioni i Prokurimeve Publike në prill vendosi rihapjen e garës dhe në fund arritën që të fitonin.
Megjithatë, vetëm pas përfundimit të fizibilitetit do të ketë një pasqyrë përfundimtare të kostove financiare. Gjatësia totale e linjës hekurudhore nga stacioni i Mjedës deri në kufirin me Kosovën është rreth 107 kilometra./kp