Erë e ftohtë fryn në rrugët e Beogradit. Qytetarët e kryeqytetit serb përgatiten për festimin e Krishtlindjeve ortodokse më 7 janar. Megjithë pandeminë e Coronës dyqanet janë hapur. Të mbështjellë në pallto të ngrohta njerëzit shëtisin në rrugët e blerjes apo përgjatë shëtitores në bregun e Savës.
Në afërsi të stacionit të autobusit për linjat e largëta në Rrugën Železnička në periferi të qendrës të del një pamje tjetër: Në një park të vogël përballë stacionit vjen vërdallë një grup fëmijësh e të rinjsh. Më i riu është 11 vjeç, më i madhi 17. Ata kanë marrë udhën si refugjat vetëm, shumica vijnë nga Afganistani. Disa nga djemtë janë të mbështjellë me batanije. “Këtë e kam blerë në treg”, thotë Sherkati i mbathur me atlete dhe çorape të shkurtra. Edhe të rinjtë e tjerë dridhen nga të ftohtët. Lodhja u është vulosur në fytyrë. Të gjithë presin për një mundësi në drejtim të kufirit kroat apo hungarez. Sherkati ia ka dalë të kalojë kufirin serb, por situata në kufirin e BE-së ishte e keqe, thotë ai. “Në Kroaci policia më mori celularin, dhe më ktheu.”
Situata nuk është më e mirë as në kampet serbe. Sherkati thotë se nuk e ka kartën e regjistrimit të autoriteteve serbe, dhe kush nuk është i regjistruar, nuk ka qasje në ofertën e ndihmave.