Byroja Federale e Hetimeve në ShBA, FBI, ka lëshuar fletarrestim për të dashurin e vajzës që u gjet e vdekur, Gabby Petito.
Në akuzë thuhet se Brian Laundrie ka përdorur një kartelë bankare për llogaritë që nuk ishin të tijat më 30 gusht dhe 1 shtator, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Trupi i Petitos u gjet të dielën në një park që çifti e kishte vizituar. Laundrie tash për tash është i zhdukur. Familja e tij thotë se për herë të fundit e ka parë më 14 shtator.
Çifti ishte duke udhëtuar nëpër vende të ndryshme për disa javë para se i dashuri i vajzës që u gjet e vdekur të kthehej i vetëm në shtëpinë e tij në Florida më 1 shtator. Ai nuk i kontaktoi familjen e të dashurës apo policinë për kthimin e tij.
Familja e vajzës e raportoi atë të zhdukur dhjetë ditë më vonë. Të dielën, trupi i saj u gjet në parkun kombëtar “Grant Teton” në Wyoming. Një ekspert i forenzikës tha se vdekja e saj ka qenë vrasje.
Familja e burrit e raportoi atë të zhdukur në fundjavë. Familjarët thonë se ai doli për ngjitje në male dhe nuk u kthye më.
Hetuesit e kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit dhe janë parë duke marrë me vete kuti të mbushura.