Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK) ka paralajmëruar protesta lidhur me vendimin e fundit të Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, për Shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për rregullimin e çmimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale.
Nënkryetarja OFK-së Dardane Mehaj, ka thënë se vendimi i ministrit të MSH-së, Armend Zemaj për shfuqizimin e çmimeve të barnave është skandaloz.
“Ne ju kemi ftuar që Zemaj e ka shfuqizuar vendimin për rregullimin e çmimeve të barnave që është nënshkruar atëherë nga ish-ministri Ismaili dhe që ka qenë në atë kohë vendim shumë i mirëpritur për ne. Ky vendim i djeshëm është vendim skandaloz sidomos në këtë kohë të pandemisë. Me rregullimin e çmimit të parë përpos që fiton pacienti në këtë rast, kishim fituar të gjithë e aq më shumë ne. Shfuqizimi i këtij vendimi lulëzon krimin e organizuar dhe kërkojmë menjëherë që të anulohet .Në të kundërtën pasojnë edhe protesta”.
Ndërsa, nënkryetar i OFK-së Gjon Gegaj ka thënë se me këtë udhëzim më së shumti përfitues do të ishin qytetarët e vendit.
“Ky udhëzim do ti mundësojë qytetarëve të kenë barna të lira dhe të sigurta. Ne kemi pasur kërkesa për oksigjen dhe na me u marr me gjëra të tjera në këtë kohë të pandemisë është e pa përgjegjshme. Ne bëjmë apel që ky vendim të anulohet. Ky shfuqizim do të thotë se ka shumë paqartësi juridike”
Sekretari i OFK-së Taulant Bajrami ka theksuar se një vendim i tillë përmban paqartësi juridike.
“Këshilli drejtues i Odës ka qenë në një takim urgjent ku ka vendosur ti drejtojë dy kërkesa zyrës së kryeministrit për anulimin e këtij vendimi, sepse i njëjti bie ndesh me udhëzimin administrativ dhe presim një reflektim të shpejtë, dhe mbi këtë kërkesë ne i jemi drejtuar kryeministrit të nxjerrë një vendim me të cilin e anulon vendimin e ministrit të shëndetësisë. Vendimi i tillë përmban paqartësi juridike. Ne do të jemi pjesë e këtij takimi rreth orës 14:00 që na ka ftuar ministri Zemaj”, ka thënë ai, shkruan EO.