Njëzet anëtarë të një familje kanë sulmuar një mjek në Indi, gjithçka ndodhi para spitalit – kur një familjar i tyre ndërroi jetë nën dyshimin për shkak të mungesës së oksigjenit.
Kujtojmë që India është goditur nga një valë e fuqishme e coronavirusit, ku prej gjashtë ditësh me radhë po regjistrohen mbi 300 mijë raste të reja me COVID-19 brenda 24 orëve.
E ekspertët besojnë se numri i të vdekurve është dukshëm më i madh sesa ai zyrtar, që thuhet se janë 2 mijë në ditë. Në anën tjetër spitalet janë stërmbushur – ku familjarët po bëjnë të pamundurën të sigurojnë oksigjen për më të dashurit e tyre.
Në këtë vend është raportuar për mungesë të madhe të bombolave me oksigjen, e disa persona kishin humbur durimin duke pritur ndonjë lajm për më të dashurit e tyre – sa që në një moment sulmuan mjekun 25-vjeç Sidanta Totla që ishte munduar të ndihmojë një burrë 65-vjeç, që ishte në autoambulancë dhe e kishin nisur për në spital, transmeton Telegrafi.
Siç raporton Mirror, familja tashmë të vdekurit, e kishte goditur mjekun me grushta e shqelma e objekte të ndryshme – deri te shufrat e metalta. Ata besojnë se burri ndërroi jetë si pasojë e mungesës së oksigjenit.
Megjithatë, mjeku pretendon se pacienti kishte vdekur para se të pranohej në spitalin e Puneut të Indisë. Për këtë rast ishte raportuar edhe dje, ndërsa sot janë publikuar pamjet kur familjarët e mllefosur i vërsulen mjekut – duke mos zgjedhur mjete me të cilat e godisnin.