Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka thënë se EULEX’i e ka arrestuar mbrëmë ish-kryetarin e kësaj komune, Isni Kilaj, pas bastisjes që kreu në shtëpinë e tij.
Në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të komunës, kërkohet “lirimi i menjëhershëm të Kilaj dhe të krerëve të luftës së UÇK-së dhe kërkojmë të ndërpriten këto veprime të turpshme.”.
“Ne kërkojmë që Gjykata Speciale, të ndërpresë këtë mënyrë të përndjekjes së çlirimtarëve dhe në të njëjtën kohë, kërkojmë që kjo Gjykatë dhe gjykatat tjera kompetente, përfshi edhe Tribunalin e Hagës, që të merret me ndjekjen, arrestimin dhe dënimin e autorëve të vrasjes së afër 400 civilëve të Komunës së Malishevës gjatë viteve 1998-1999 nga ushtria dhe policia e shtetit të Serbisë.
Kujtojmë se në territorin e Komunës së Malishevës, janë vrarë afër 400 civil të pafajshëm, madje janë vrarë në mënyrën më mizore të mundshme dhe deri më sot, nuk është dënuar askush dhe nuk është zhvilluar asnjë proces gjyqësor për këto vrasje, as për dy masakrat e mëdha, atë të Burimit dhe të Gollubovcit”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka thënë dje se po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) po kryen operacione në vazhdimësi në Kosovë në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Operacionet e ZPS-së këtë javë janë autorizuar nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe janë mbështetur nga Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftimin e Speciales.