Presidenti i Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan, i ka kërkuar kandidatit për kryeministër, Albin Kurtit, ta shmangë vendimin për hapjen e ambasadës së Kosovën në Jerusalem, pasi që sipas tij një hap i tillë mund t’i shkaktojë dëm të madh Kosovës, transmeton Gazeta Sinjali.
Erdogan këto i ka bërë të ditura përmes një letre që i ka dërguar Kurtit.
“Për më tepër, jam i kënaqur, kur mësova për qëndrimin e partisë suaj që, nëse vjen në pushtet, do ta rishikojë angazhimin e Kosovës për hapjen e Ambasadës në Jerusalem. Besoj se do të ishte e dobishme që të shmangej një hap të tillë, i cili mund t’i shkaktonte dëme të mëdha Kosovës”, ka shkruar Erdogani në letrën e tij.
Më herët, kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu në letrën e tij ka uruar Albin Kurtin, derisa ka theksuar se e mirëpret në Izrael për ta inauguruar Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem.
Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë thënë se do ta shqyrtojnë vendimin e Kosovës për vendosjen e Ambasadës në Jerusalem nëse një gjë e tillë kërkohet dhe bëhet kusht nga Bashkimi Evropian në rrugën drejt integrimit. Kështu ka deklaruar numri dy i partisë së Kurtit, Glauk Konjufca.
Edhe një prej zyrtarëve të kësaj partie, Haki Abazi, kishte deklaruar se qëndrimi i Bashkimit Evropian ka shumë rëndësi për Kosovën rreth asaj se ku duhet vendosur ambasada dhe sipas tij, Kurti duhet të ulet me Brukselin dhe Izraelin për ta zgjidhur atë që Abazi e konsideron ‘nyje’.
Bashkimi Evropian ndërkohë e ka cilësuar si një vendim për keqardhje atë të hapjes së ambasadës në Jerusalem nga ana e Kosovës, duke qenë se Brukseli vazhdon ta njoh Tel Avivin si kryeqytet.
“Në përgjithësi, është gjithnjë e mirëseardhur kur parterët tanë të jashtëm normalizojnë raportet mes tyre. Sidoqoftë, kur është fjala e hapjes së ambasadës në Jerusalem, ky është një vendim për keqardhje i Kosovës sepse e largon Kosovën nga qëndrimet e BE-së për statusin e Jerusalemit” kishte deklaruar Peter Stano.