Ka ndërruar jetë në spital personi i plagosur pak minuta më parë, pranë Piramidës në Tiranë.
Siç raportojnë mediat në Shqipëri, ngjarja ndodhi mëngjesin e sotëm rreth orës 8:45 pranë Piramidës, në një kohë me lëvizje të shumta, përcjell Gazeta Sinjali.
Ai është identifikuar si Behar Sofia nga Berati, rreth moshës 66-vjeç. Burri u gjet i plagosur me armë zjarri në trotuar pranë Piramidës në kryeqytet. Në zonë nuk janë dëgjuar krisma dhe për këtë arsye dyshohet se mund të jetë përdorur pistoletë me silenciator.
Behar Sofia është transportuar menjëherë drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore, por fatkeqësisht nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.
Ndërkohë policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e rrethanave.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Informacion paraprak
Më datë 25.02.2021, rreth orës 09:00, në trotuar në afërsi të Piramidës është konstatuar nga shërbimet e Policisë shtetasi B. S., 66 vjeç, i shtrirë në tokë, dyshohet i plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta, i cili është transportuar menjëherë në spital për ndihmë mjekësore ku dhe ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie, të cilat kanë rrethuar zonën, me qëllim kapjen e autorit.
Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore dhe vijon puna nga grupi hetimor, për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.