Nënat lehona të papuna do të përfitojnë për gjashtë muaj nga 250 euro, kur Lëvizja Vetëvendosje të qeverisë në Kosovë.
Ky është plani, ka thënë kandidati i kësaj partie për kryeministër, Albin Kurti.
“Kurse gratë lehona do të kenë mundësi të marrin pushim të lehonisë për 12 muaj”, pohoi Kurti.
“Pjesëmarrës për pagesën do të jetë edhe shteti dhe këtë mundësi do ta kenë të dy prindërit”.
Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e sheh si të realizueshëm këtë zotim të Kurtit.
Ai, në një prononcim për Albanian Post, thotë se mbështetja e grave lehona dhe të papuna me nga 250 euro për gjashtë muaj, është diçka që bëhet, por s’është aq e lehtë.
“Duhet të ketë vullnet politik, partneritet dhe dialog”, thotë Gërxhaliu.
Sipas tij, sigurimi i këtyre mjeteve mund të bëhet në rast të ndaljes së keqpërdorimeve në administratë dhe në ndërmarrje publike.
“Nëse do të kemi mbikëqyrje, do të kemi përgjegjësi, një reformim të administratës publike dhe një menaxhim të mirëfilltë të ndërmarrjes publike, këto mjete nuk mund të jenë barrë e buxhetit, sepse ka metoda alternative por nëse ka vullnet, kjo mund të arrihet”.
Tutje Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë, thotë se programet e subjekteve politike duhet të mbështeten në tri dimensione.
I pari është dimensioni emergjent, “sepse po shihen sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova rreth pandemisë”, dimensioni i dytë “është ai kohor” dhe i treti do të jetë “qëndrueshmëria dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm”.
“Kosova është duke u zbrazur, është duke u plakur dhe çdo ide konkrete për ta shtuar natalitetin duhet të respektohet, duhet të mirëpritet dhe duhet të mbështetet”.
Drejtori i Spitalit të Gjinekologjisë në Kosovë, Jakup Ismajli, ka treguar për Albanian Post, se vërehet një rënie e lindjeve në dy vitet e fundit.
Ismajli tregoi se brenda vitit 2018 kanë qenë gjithsejtë 9 mijë e 961 lindje ndërsa në vitin 2019 janë lindur gjithsejtë 9 mijë e 461 fëmijë.
Në krahasim me vitet paraprake, viti 2020 ka shënuar rënie të porsalindurve, që sipas statistikave nga Drejtoria e Gjinekologjisë, gjatë vitit të kaluar janë lindur gjithsejtë 8 mijë e 786 fëmijë.