Vajza 18-vjeçare Marigona Osmani, nga Ferizaj që u varros nëntë ditë më parë, ka përjetuar dhunë fizike e psikike sistematike. Arbër Sejdiu, i arrestuar bashkë me Dardan Krivaqën nën dyshimet për vrasjen e vajzës, ka thënë se ajo ka bërtitur dhe para se t’i humbte ndjenjat, kishte vjellur. Deklaratën e tij e ka cituar për Gazetën Express avokati i familjes së 18-vjeçares së ndjerë, Gazmend Rexhepi.
Avokati Rexhepi e as familja nuk e kanë pranuar akoma raportin e autopsisë, pasi Prokuroria Themelore e Ferizajt u ka thënë se ende nuk e posedojnë atë.
Avokati i familjes së 18-vjeçares, Gazmend Rexhepi, tha se e ka parë deklaratën e Arbër Sejdiut dhe i njëjti ka pohuar se vajzën e kanë çuar në spital pasi kur kanë hyrë në dhomë e kanë vërejtuar ka pasur shumë të vjellura.
“Deklaratën e kam pa dje, ai ka thënë se vajza është rreh në mënyrë sistematike pothuajse gati çdo ditë…Deklarimi i tij është që dy ditët e fundit Marigona ka përjetuar dhunë fizike. Arbri ka qenë në dhomën tjetër ku ka nejt Marigona, dmth partneri i saj Dardan Krivaqa, dy ditët e fundit standard i ka shkaktu dhunë fizike dhe psikike. Ka pas shumë piskama, qysh e ka citu ai, nga ana e Marigonës dhe dhunë fizike. Thotë kur kemi hy në dhomë ka pas vjellje dhe në atë moment e kemi marrë e kemi çu në spital”, tha Rexhepi për Gazetën Express.
Ai tha se janë në pritje të raportit të autopsisë, ndërsa çertifikata e vdekjes i është dorëzuar familjes.
“Autopsia nuk është dorëzuar akoma, çertifikatën e vdekjes ia kanë dhënë familjes do të thotë që është konstatuar vdekja e saj. Dje kam qenë në prokurori, e kam dorëzu autorizimin, prokuroria ka thënë se akoma nuk e kanë marrë raportin e autopsisë. Vetëm konstatimi që ka dal në publik nga Ministria e Drejtëisë, që është thënë për politraumë dhe thyerje.
Prokuroria është në fazën e hetimeve na kanë thënë dhe na kanë premtu që për çdo shkresë do të njoftohet avokati dhe familja”, përfundoi ai.
Marigona Osmani dyshohet se vdiq pasi i përjetoi dy ditë keqtrajtim mizor, rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë”, ndërsa në paraburgim po qëndrojnë ish-partneri i saj Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu. Të dy emra të njohur për organet e rendit.
Prokuroria Themelore e Ferizajt bëri me dije se Krivaqa ishte recidivist i veprave të ndryshme penale.
Në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krivaqës u tha: “I pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj, në banesën e tij me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara, ka ushtruar fillimisht dhunën psikike, pastaj edhe dhunë fizike, e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë, ndërsa i pandehuri A.S. gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm, në vendin e ngjarjes, e i cili edhe ka marr pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike, me këtë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale, gjegjësisht vdekjen e të ndjerës, dhe më pas të njëjtën e dërgojnë dhe e lënë në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj, pa shenja jete, ndërsa dy të pandehurit ikin në drejtim të panjohur”, ka njoftuar gjykata.
Këshilltarja në Ministrinë e Drejtësisë, Nazlie Balaj, ka thënë se në rastin e 18-vjeçares kemi të bëjmë me politraumë.
“Sipas informatave që i kemi ne si Ministri e Drejtësisë në të cilën është edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore rasti i Marigonës është rast politraumë ku për dy ditë radhazi, sipas gjithmonë informacioneve, është ushtruar dhunë dhe që e ndjera ka vdekur 24 orë përpara para se të dërgohej nga të dy të dyshuarit në spitalin e Ferizajt”, ishte shprehur Balaj.