Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, ka kryer sot një aksion policor në qytetin e Pejës, ku është bastisur një shtëpi, raporton
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se cak i bastisjes ishte shtëpia e Princ Dobroshit, i njohur me nofkën ‘Peshkaqeni’, i cili për vite me radhë njihej si bosi i mafias shqiptare të drogës në Norvegji e Çeki.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se në aksion kanë asistuar edhe Policia e Gjermanisë, teksa në shtëpinë e ‘Peshkaqenit’ janë sekuestruar një veturë dhe disa pajisje teknologjike.
Sinjali ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës për të marrë më shumë informacione lidhur me rastin, mirëpo të njëjtit ende s’kanë kthyer përgjigje.
Ndryshe, Princ Dobroshi, i kërkuar nga disa shtete evropiane dhe i dënuar nga Gjermania me 15 vite burg, prej 1 jave ndodhet në burgjet shqiptare.
Dobroshi është vënë në pranga para disa ditësh në Tiranë dhe është lënë në masën e sigurisë 40 ditë paraburgim, por nga ana e autoriteteve nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar.
Kush është Princ Dobroshi?
Princ Dobroshi njihet ndërkombëtarisht si njëri nga personat me veprimtari të dyshuar kriminale.
Dobroshi ishte dënuar për përfshirje në trafikun e drogës, saktësisht heroinës. Për këtë dhe vepra të tjera Dobroshit i ishte ndaluar hyrja në vendet e Bashkimit Evropian.
Ai ishte larguar nga Kosova në vitin 1988. Fillimisht kishte shkuar në Gjermani, ku ishte marrë me biznesin e kazinove. Pas Gjermanisë ai kishte shkuar në Norvegji.
Në vitin 1993, Princ Dobroshi, u arrestua nga policia norvegjeze nën dyshimin për trafik droge.
Gjykata në Norvegji në vitin 1994 e kishte dënuar atë me 14 vite burgim.
Dobroshi, kishte arritur të ikur nga burgu në vitin 1997, pasi që kishte korruptuar rojën e burgut. Pas ikjes, sipas shefit të antidrogës, ishte fshehur në Kroaci ku kishte bërë një operacion plastik në fytyrë.
Autoritetet policore çeke kishin lëshuar një njoftim të përbashkët kur kishin zënë Princ Dobroshin në Pragë pas ikjes së tij nga burgu në Norvegji.
Në aksionin e koduar “Kafaz”, operacioni i të cilit kishte zgjatur dy vjet, e që ishte mbështetur nga policia suedeze, daneze e veçanërisht ajo norvegjeze, kishte rezultuar me kapjen e Dobroshit, me 23 shkurt të vitit 1999.
Prej 99-es kur ishte rikthyer në qeli, Dobroshi kishte qëndruar deri në vitin 2005 duke rrumbullakësuar nëntë vite burg përkundër dënimi prej 14 vite burgim. Dy vite kishte ikur nga burgu ndërsa tri vite tjera i ishin hequr nga autoritetet norvegjeze.
Në vitin 2005 kur kishte kryer burgun, Princ Dobroshi ishte përcjellë nga autoritetet norvegjeze nën masa të rrepta sigurie për në Kosovë.
Kur u rikthye për të jetuar në vendlindjen e tij në Pejë, ai iu rikthye biznesit të lojërave të fatit.
Në vitin 2012, në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve ai hapi biznesin “StarLotoSport”, e cila për aktivitet kishte bastvënien. Pas 14 ditësh ka bërë kërkesë për ndërrimin e emrit të biznesit duke e regjistruar si “Eurolive-24”. Kjo kompani është e regjistruar për bastvënie, bixhoz si dhe kafe.