Hetuesit e UNMIK-ut, bashkë me një ekip mjekoligjor, me kërkesë të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) kishin bërë një ekzaminim të plotë mjekoligjor në “Shtëpinë e Verdhë”, në jugperëndim të Burrelit në Shqipëri.
Në një raport konfidencial të UNMIK-ut të siguruar nga mjetet e informimit, i emërtuar “Ekzaminimi dhe vlerësimi mjekoligjor në Shqipëri” dhe i përgatitur nga Tom Grange dhe Hroar Frydenlund, dytë ekzaminues mjekoligjorë, nxirret përfundimi se nuk ka prova bindëse që personat në atë shtëpi kanë pasur gjakderdhje si rezultat i akteve kriminale, siç pretendohej në raportin e Dick Martyt.
“Duke u mbështetur në ekzaminimet tona, ne mendojmë se nuk ka prova bindëse që personat kanë pasur gjakderdhje si rezultat i akteve kriminale në shtëpi, në jugperëndim të Burrelit në Shqipëri”, thuhet në këtë raport konfidencial të UNMIK-ut.
Sipas ekzaminuesve mjekoligjorë, Zyrës për Personat e Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore në Kosovë (ZPZHML) i është kërkuar nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) për të ndihmuar në ekzaminimet mjekoligjore në Shqipëri.
Kjo kërkesë, sipas këtij raporti, kishte ardhur për shkak se “sipas disa dëshmitarëve, dyshohet se njerëz janë vrarë në një shtëpi në dalje të Burrelit në Shqipëri dhe ata pretendohet të jenë varrosur në një varrezë në të njëjtën zonë”.
“Të nesërmen, më 4 shkurt, ne udhëtuam me veturë drejt lokacionit përkatës, përafërsisht 15 kilometra në jug të qytetit të Burrelit. Ekzaminimet janë kryer nga Tom Grange, Hroar Frydenlund dhe Alain Wittmann së bashku me Jose-Pablo Baraybar dhe Tania Delabarde, më 4-5 shkurt 2004. Gjithashtu, të pranishëm ishin edhe 2 zyrtarë për siguri nga ICTY, kryeprokurori nga Burreli, 4 zyrtarë policorë nga Burreli, përkthyesi nga ICTY, hulumtuesi Michael Montgomery, hulumtuesi Stephen Smith”, thuhet në këtë raport të UNMIK-ut.
Gjatë ekzaminimit, ekspertët mjekoligjorë tregojnë se kanë përdorur edhe luminolin kimik për të zbuluar hapësira të mundshme me gjak, të cilat syri i njeriut nuk mund t’i shohë.
Luminoli është një kimikat jashtëzakonisht i ndjeshëm për zbulimin e sasive të vogla të gjakut dhe kur spërkatet mbi zonat e njollave të dyshuara të gjakut, reagon me aktivitetin e peradoksidazës së hemoglobinës (një pjesë përbërëse e madhe e gjakut).
“Luminoli bën që gjaku të shkëlqejë një ngjyrë blue/vjollcë, ky emetues kimikolumineshent shkaktohet drejtpërdrejtë nga oksidimi i luminolit nga një oksidant në solucion të ujit. Si lëndë djegëse për reaksionin e luminolit, lloji emetues është 3-aminoftalati.
Për ta parë lumineshencën është thelbësore që të gjitha ekzaminimet të kryhen në errësirë të plotë me ndihmën e një pishtari për të ndihmuar ekzaminuesin e vendit të krimit. Drita e shkaktuar nga reaksioni është më e madhja në 445 nanometra (kaltër) e që është brenda spektrit të dukshëm”, sqarohet në këtë raport të UNMIK-ut, sipas të të cilit, kjo formë e ekzaminimit është jashtëzakonisht e ndjeshme dhe është dokumentuar se zbulon gjakun në nivel prej milionash dhe ende funksionon edhe kur gjurmët e gjakut janë hequr me zbardhues.
“Familja që jetonte në vendbanimin e ekzaminuar na ofroi qasje të lirë në të gjitha dhomat dhe ne ishim në gjendje të kryejmë ekzaminimet tona pa ndonjë kufizim”, thuhet në raportin e ekspertëve mjekoligjorë të “Shtëpisë së Verdhë”.
Në përshkrimin e vendbanimit thuhet se objekti është një shtëpi dykatëshe prej betoni që ndodhet përafërsisht 15 kilometra në jugperëndim të Burrelit në Shqipëri.
“Pjesa e jashtme e shtëpisë ishte e ngjyrosur më ngjyrë të bardhë, me përjashtim me pjesën më të poshtme prej 1.5 metra, e cila ishte e ngjyrosur më të verdhë”, thuhet në raport, ku përshkruhen më pas në detaje edhe hyrjet dhe dhomat e kësaj shtëpie.
“Secila nga dhomat u kontrollua për dëshmi të gjakut dhe dolën rezultate negative. Dy njolla të dyshimta kafe me ngjyrë të kuqërreme u testuan me Fenolftalin, me rezultate negative. Pas ekzaminimit të tërë shtëpisë, vendosëm të përdorim Kimikat Lumina për të kontrolluar gjurmë të gjakut që nuk mund të shihen nga syri i njeriut. Hapësirat më të afërta të shtëpisë u kontrolluan për prova.
Përafërsisht 15 metra nga ana jugore e shtëpisë kishte një pjerrësirë prej 3 metrash që çonte në përroin më poshtë. Në këtë zonë u gjetën artikujt BUR01 001a-007a në shportën e mbeturinave. Këto objekte u mblodhën si dëshmi”, përshkruhet ekzaminimi i detajuar i ekspertëve mjekoligjorë.
Sipas tyre, përdorimi i kimikatit të luminolit kur ishte terruar, kishte pasur një reaksion pozitiv afër stufës në dysheme.