Ai ka kërkuar nga Presidenti Biden, që të ndërhyjë për të siguruar edhe reformën e Gjykatës Speciale në Hagë, që gjyqet të administrohen në përputhje me parimet e drejtësisë.
Përmes një editoriali, Sheehan për EULEX-in dhe Dhomat e Specializuara në Hagë ka thënë se nën mbikëqyrjen e Evropës, udhëzuesit dhe financuesit e tyre janë bërë zotërues dhe kontrollues, duke i konvertuar institucionet në më shumë se automjete për t’i çuar përpara qëllimet e politikës evropiane, që dallojnë qartë nga ato amerikane.
“Kjo shpjegohet më së miri nga prishja e marrëveshjes së verës së kaluar për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, një marrëveshje që qe objektivi kryesor i Amerikës në Ballkanin Perëndimor për më shumë se një dekadë. Një takim për të nënshkruar një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Uashingtoni midis presidentëve të Serbisë dhe Kosovës ishte caktuar për në qershor. Ky takim nuk ndodhi. Disa orë para se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të fluturonte përtej Atlantikut, Prokuroria e Specializuar në Hagë njoftoi se kishte ngritur një aktakuzë në gjykatë. Udhëheqësi gueril, i konvertuar në një politikan, dhe tre nga bashkëpunëtorët e tij, do të gjykoheshin për krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit të viteve 1990. Kështu, takimi në Uashington duhej të anulohej. Momenti i njoftimit dukej më shumë se i rastësishëm, veçanërisht pasi ishte në kundërshtim me procedurën. Supozohet se aktakuzat do të bëheshin publike vetëm pasi të jenë konfirmuar nga një gjyqtar i procedurës paraprake (e cila ndodhi vetëm në nëntor). Arsyeja për shkeljen e protokollit, sipas prokurorit, ishte për shkak të një “fushate sekrete” për të minuar gjykatën nga presidenti dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës “për të siguruar që ata të mos përballen me drejtësinë”, një përpjekje e dukshme për të krijuar një përshtypje faji para se të fillojë çështja. BE-së nuk i pëlqente marrëveshja e ndërmjetësuar nga Uashingtoni, sepse synonte të hapte rrugën për një shkëmbim të diskutueshëm të territoreve. Serbia dhe Kosova ishin të gatshme të diskutonin për shkëmbimin e territorit. BE-ja, megjithatë, nuk ishte e interesuar. Një gjykatë evropiane që synonte të administronte drejtësinë për krimet e së kaluarës, u bë një mjet për politikën në të tashmen”, ka shkruar ai.
Në shtëpinë e Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, sipas këtij editoriali të publikuar në mediumin e madh amerikan, Sheehan thotë se të vetmit janë kosovarët që janë ulur dhe që po përballen me një gjyq, ku të gjithë gjyqtarët, prokurorët dhe personeli ndihmës ishin dhe janë të gjithë ndërkombëtarë.
“Realiteti tjetër është se BE-ja nuk e pëlqen lidershipin e pas pavarësisë. Ata kanë të drejtë të mbajnë një pikëpamje të tillë. Por, një gjykatë, gjoja kosovare dhe e pavarur, është bërë mjet për t’i kthyer pikëpamjet e saj në vepër: për të pastruar politikanët me të cilët nuk pajtohet. Tashmë gjykata është zhytur në skandal”, thotë ai.
Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjyqtarja Ekaterina Trendafilova, Sheehan shkruan se u kap duke shkelur vetë rregullat e gjykatës, duke u ofruar fshehurazi informata konfidenciale financuesve dhe diplomatëve të BE-së mbi strukturën dhe procedurën për çështjet e ardhshme në gjykatë, para se të njoftoheshin avokatët e mbrojtjes. Ndërsa, në një incident tjetër, Sheehan thotë se kryeprokurori lejoi të dilnin-filtroheshin tri kuti me dokumente konfidenciale që përmbajnë identitetin e dëshmitarëve.
“Përfundimi i vetëm objektiv është se nuk është lidershipi kosovar ai që po i minon Dhomat e Specializuara të Kosovës, por është vetë udhëheqja e Dhomave të Specializuara ajo që po minon Kosovën. Ndoshta, ashtu edhe siç pritej, Trendafilova ka një reputacion të papërshtatshëm. Ajo kryesoi gjykime të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, po ashtu me shumë skandale, edhe për presidentin e Kenisë, Uhuru Kenyatta, dhe për zëvendësin e tij të atëhershëm, William Ruto, të cilat, si të tilla, dështuan. Rastësisht, informimi për financuesit e BE-së dhe rrjedhja e identitetit të dëshmitarëve ishin faktorët kryesorë që kontribuuan në këto dështime. Në mënyrë të ngjashme, gjykata pretendoi se ishte minuar nga Qeveria keniane, porse u bë e qartë se ishte e kundërta”, shkruan Sheehan.
Ai thotë se në gjykatën kosovare, njëjtë si ICC-ja me Keninë para saj, shqetësim kryesor është bërë se si të arrihen dënimet, madje edhe në kurriz të drejtësisë.
“Ajo që filloi si një instrument për të mbajtur përgjegjës përgjegjësit për krimet e së kaluarës dhe, për pasojë, ndërtimin e institucionit të drejtësisë në vend, ‘ka kaluar nëpër pasqyrën e shikimit’. Pavarësisht nëse tërheq fonde miliarda dollarëshe nga gjykata ose i tërheq ato tërësisht, presidenti Biden duhet të ndërhyjë për të siguruar reformën e gjykatës. Çështja nuk është që të ndryshohet rezultati, por të sigurohet që gjyqet të administrohen në përputhje me parimet e drejtësisë, dhe këtë ende nuk e kanë parë kosovarët. Si senator dhe anëtar i pakicës ranguese i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, Biden besoi se drejtësia ishte e domosdoshme gjatë luftërave jugosllave. Gjatë një udhëtimi në Bosnjë në vitin 1993, ai u takua me udhëheqësin jugosllav, Sllobodan Millosheviç, të cilit i kishte thënë: “Unë mendoj se ti je një kriminel i mallkuar lufte dhe duhet të gjykohesh si i tillë”. Tridhjetë vjet më vonë, si president i Shteteve të Bashkuara, ai duhet të parandalojë kthimin e padrejtësisë në Ballkan”, shkruan në Neews Week, drejtori ekzekutiv i Shkollës së Çështjeve Publike dhe Ndërkombëtare në Universitetin e Baltimore, Ivan Sascha Sheehan.