Partia Liberale Egjiptiane (PLE) ka ngritur shqetësimin për atë që ka ndodhur me votat e pakicave, kryesisht në komunat me shumicë serbe dhe ka ftuar misionet diplomatike dhe institucionet vendase të reagojnë.
Kryetari i PLE-së, Veton Berisha, përmes një komunikate ka thënë se iniciativa që mund të marrë deputetin e rezervuar për egjiptianët, “Romani Iniciyativa”, është produkt i Listës Serbe, që kontrollohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Njëjtë, kanë akuzuar Listën Serbe edhe dy parti boshnjake, SDU dhe NDS, sipas të cilave, Lista Serbe ka krijuar iniciativa fantome boshnjake për të marrë ulëset e rezervuara për këtë komunitet. Dy partitë boshnjake i janë referuar iniciativës së Adriana Hoxhiqit, që ka marrë shumicën e votave në komunat me shumicë serbe, ku nuk ka shumë boshnjakë.
Kreu i PLE-së, Berisha thotë se e njëjta strategji është ndjekur edhe me komunitetin që ai përfaqëson.
“Partia Liberale Egjiptiane (PLE) është informuar nga mediumet për një version të ri politik, i cili dirigjohet nga subjekti politik ‘Lista Serbe’ se kinse janë formuar dy subjekte politike të komuniteteve joshumicë të cilat janë nën kontrollin e këtij subjekti politik. Fillimisht, PLE e ka konsideruar këtë informatë si formë e fushatës parazgjedhore, por pas rezultateve zgjedhore të publikuara nga KQZ në disa komuna të Kosovës, vërehet qartë se Subjekti Politik ‘Romani Iniciyativa’ është produkt i ‘Listës Serbe’, sepse ky subjekt politik ka marrë një numër të madh të votave në vendbanime ku nuk jeton fare komuniteti rom”, thuhet në komunikatë.
PLE-ja këtë e vlerëson shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe votës së lirë.
“Prandaj PLE fton misionet diplomatike, subjektet politike dhe organet e tjera të drejtësisë që të reagojnë ndaj kësaj padrejtësie sepse nëse tani nuk do të reagohet, kjo praktikë do të bëhet në të ardhmen precedent i rrezikshëm, i cili do të cenojë të drejtën e votës së lirë të qytetarëve. PLE-ja do të presë deri në rezultatet përfundimtare dhe pas publikimeve të tyre, do të ndërmerr veprime të tjera procedurale sipas ligjeve në fuqi”, thuhet tutje në komunikatë.
“Romani Iniciyativa”, sipas rezultateve preliminare, ka marrë 3.827 vota, ndërkohë PLE-ja 2.199.