Sipas një raporti të publikuar së fundmi nga UNDP-ja, në vitin 2024 sfida kryesore për qytetarët në Kosovë mbetet varfëria dhe papunësia. Njohës të çështjeve sociale thonë se vendi ka nevojë për reformim të skemës social në mënyrë që ata që përfitojnë nga kjo skemë të kenë mundësi që të punojnë. Qytetarët thonë se në Kosovë ka humbur motivi për të jetuar, ata përmendin pagat e ulëta si faktor për këtë çështje. Ndërkaq përfaqësues biznesesh në Kosovë hedhin fajin tek institucionet për subvencionim të gabuar krijim të kuadrove jo profesionale.
“Të dhënat e zbërthyera sipas përkatësisë etnike treguan se varfëria renditet si problemi kryesor për qytetarët shqiptarë 28.6% dhe 29.5% për komunitetet tjera të Kosovës. Papunësia si çështje urgjente për 20.2 për qind e të anketuarve shqiptarë dhe 13.8% të serbëve të Kosovës dhe ngritja e çmimeve për artikujt e domosdoshëm 8.9%”, thuhet në raportin e UNDP-së.
Qytetarët flasin për vështirësitë që u ka shkaktuar ngitja e vazhdueshme e çmimeve.
“220 euro më ka ardhë rryma me e pagu vet i dyti jetoj unë skom ka me i marrë ato pare ma zor nuk e di, veç zoti e baftë hajër”, tha një qytetar
“Unë nuk e di për çka kemi luftu për çka e kemi fitu lirinë këtu ka humb motivi për jetë, gjithçka po shkon keq si në shëndetësi si në ekonomi në çdo aspekt”, tha një qytetar tjetër
Rreth 20 mijë familje me 80 mijë anëtarë vlerësohet se janë përfitues të skemës social në Kosovë. Rreth 6 mijë familje vlerësohet se anëtarët e tyre janë të aftë për punë.
Njohësi i çështjeve sociale, Vehbi Mujku flet për çështjet e papunësisë ndërsa thekson nevojën urgjente për një reformim të skemave sociale.
“Po përderi sa në agjencinë për punësim janë të hapura 7 mijë vende pune, 6 mijë anëtar nga 20 mijë familje të cilat janë përfitues të skemës sociale të kategorisë së dyte janë të aftë për punë, të njejit nuk mund të punojnë pasi që marrin social dhe në këtë mënyrë ata nuk pranojnë të punojnë pasi që socialin e shohin si një pagë të siguritë të cilën e marrin çdo muaj”, tha për rtv21 Mujku, njohës i çështjeve sociale.
Një problem konsiderohet të jetë edhe mbyllja e bizneseve, në mungesë të fuqisë punëtore, si pasojë e largimit nga vendi.
“Shteti ka prodhuar mijëria qytetar me diploma por që nuk janë të kualifikuar për nevojat e tregut dhe në këtë mënyrë një biznes për ta puënsuar dikë i duhet që ta rikualifikoj edhe pse i njëjti ka një diplomë tashmë pra shteti nuk po komunikon as me qytetarët e as me bizneset, Shteti është kthyer në armikun kryesor të qytetarit sepse nuk i intereson si i papunë a po mundet me e përballu jetën por edhe si i punësuar a po mundet me ja dalë me këtë pagë”, tha Skender Krasniqi, Kryetari i Dhomës së Tregtisë
Njohës të fushës së ekonomisë thonë se subvencionimi dhe skemat sociale që po promovon qeveria, nuk e përmirësojnë ekonominë e vendit, përkundrazi e rëndojnë atë.