Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të vendos për rinumërimin edhe të 58 vendvotimeve të tjera.
Lajmi është bërë i ditur për kp nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se në mbledhjen e sotme të KQZ-së, do të paraqitet një raport nga QNR-ja me disa rekomandime për rinumërim të 58 vendvotimeve dhe se anëtarët e KQZ-së, do ta shqyrtojnë dhe do të marrin vendim meritor.
“Deri te ky rekomandim është ardhur pasi nga verifikimi i bazës së të dhënave dhe krahasimit të votave të subjekteve dhe kandidatëve, rezulton se janë 58 vendvotime tek të cilat nuk janë shënuar votat për kandidatët ndërsa subjektit ka të tilla në formularë të rezultateve”, tha Elezi.
I pyetur nëse kjo mund të ndryshojë planifikimet e KQZ-së që priste të përmbyllte rinumërimin të premten mbrëma dhe fillimin e numërimit të votave të diasporës dhe atyre me kusht gjatë fundjavës, Elezi tha se natyrisht se kjo do të zgjasë kohën për përfundimin e rinumërimit, porse po punojmë maksimalisht që në fillim të javës KQZ-ja të mund të shpall rezultatet përfundimtare.