Numri i minatorëve kosovarë që po ngujohen nën tokë po vazhdon të rritet, në shenjë proteste për mosekzekutimin e pagave.
Ndërsa Reporteri.net mbrëmë raporti se 67 minatorë të Trepçës po qëndrojnë të ngujuar brenda, ky numër sot është rritur.
Sot nën tokë janë ngujuar edhe 32 minatorë të Artanës, të cilët janë të revoltuar me mos daljen e pagës. Këtë e ka konfirmuar një minator i Artanës për Reporteri.net.
“Desha të ju informoj se edhe minatorët e Artanes, saktësisht 32 janë brena në minierë, duan rrogat e tyre. Edhe ne jemi Kosovë”, ka thënë ky minator.
Punëtorët kanë thënë se nuk do të dalin nga nëntoka derisa të kryhet pagesa ndaj tyre.
Ndërkohë, izolimin e minatorëve e ka konfirmuar edhe menaxhmenti i Trepcës, të cilët japin detaje për situatën poshtë.
“Janë rreth 67 minatorë që janë brenda. Ata po i kërkojnë mjetet e vonuara nga qeveria. Këto 1 milion që i ka dhënë Qeveria e Kosovës. Ata nëse sonte i marrim pagat, nesër ndërrimi i parë vazhdon punën. Gjendja është e qetë. Jemi në vendin e ngjarjes”, ka thënë Xhafer Peci.
Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka ndarë një buxhet prej 1 milion euro për kryerjen e pagesave ndaj minatorëve.
Minatorët ishin dakorduar të kthehen në punë me premtimin se pagat do të ekzekutohen gjatë kësaj jave. Por, pagat nuk dolën në llogari, gjë që solli reagimin e minatorëve.