Ederson Moraes (Osasco, Brazil, 17.08.1993) ishte pjesë kryesore e planit të Pep Guardiolës në “Bernabéu”. Loja e tij e shkëlqyer me këmbë prodhoi topa të gjatë për Gabriel Jesús, i cili ekzekutoi planin e hartuar nga trajneri i Manchester City. Pep shfrytëzoi një nga cilësitë e shkëlqyera të portierit brazilian, një virtyt për të cilin fajin e ka Gilberto Lopes, zbuluesi i Ederson në shtetin e Sao Paulo.
“Jo si portier, profesor, jo përsëri. Nuk më pëlqen. Dua të luaj në vendin tim, në anën e majtë, më tha. Kërkesë normale, sepse ai ishte 9 vjeç dhe në atë moshë, shumica e djemve duan të shënojnë gola, duke qenë lojtar të fushës, – tregon për “Marca” Lopes, direkt nga fusha ku ka stërvitur lojtarët për vite me radhë. – Gjithmonë me ndihmën e Jezusit, Ederson e kuptoi shpejt se porta ishte një ide e mire për të. Unë pashë një talent të fshehur tek ai, ndaj e aktivizova si portier. Ai ishte një djalë shumë, shumë i hollë. Prandaj, bashkëlojtarët filluan ta quajnë me shaka “El Gordo”. Ai e godiste topin shumë fort, por teknikisht nuk ishte shumë i mirë. Kjo është arsyeja pse unë vendosa ta aktivizoj në portë. Ai nuk donte, por shpejt do të kishte sukses në këtë rol”.
Në fushat e FC Ebenézer, një vend ku Gilberto Lopes përpiqet të merret me djem në situata të vështira, përmes futbollit, Ederson arriti në moshën 9 vjeç. “Na e sollën aty, sepse njëri nga vëllezërit e tij ishte me ne. Familja e tij ishte shumë e varfër, por e strukturuar dhe përkujdes prindëror. Ata ishin nga një zonë me shtëpi, ku shumë prej tyre nuk kishin fare çati. Babai i tij ngrihej shumë herët, në katër të mëngjesit, për të shitur fruta. Tani, Ederson është portieri më i shtrenjtë në botë dhe i ka harruar disa nga ato gjëra. Neve na premtuan disa gjëra që, le të themi, nuk i përmbushën plotësisht. Unë nuk kam folur me të prej një kohe të gjatë, – shpjegon Giba me një nuancë të hidhur në zërin e tij. – Ishte më e mira që mund të bënte, pa dyshim. Ai po shënonte gola, kur e aktivizuam si portier”.
Këmba e tij e majtë e fuqishme, ajo që e ekspozoi në “Bernabéu” me pasimet e tij të kalibruara mirë, është regjistruar në librin “Guinness” të statistikave. Në maj 2018, Adam Brown e testoi portierin brazilian për “Guinness” në godijtet nga distanca. Ederson pati tri përpjekje për të shënuar gol përtej 75 metrave largësi. Me Kyle Walker, Raheem Sterling dhe Phil Foden si mbështetës, ai e dërgoi topin 35 centimetra përtej asaj që kërkohej. Në shtëpinë e tij ka pllakatë të “Guinness”, që dëshmon për këtë rekord.
Nuk kishte frikë nga asgjë, por vlera më e rëndësishme ishte koka e tij. “Gjëja më e mirë që Ederson ka pasur ndonjëherë është se kurrë nuk kishte frikë nga asgjë. Ai është i guximshëm. Ai kurrë nuk u frikësua të luante me djem më të rritur. Ose kur i thashë që do ta çoja në Sao Paulo. Ai ishte vetëm 10 vjeç…”, – kujton Giba. Disa vite më vonë, në derën e Gilberto Lopes, një skaut futbolli, që punon në zonën e Sao Paulo, mbërriti Jorge Mendes. I kërkoi mendim për portierin në fjalë, të cilin e kërkonte Benfica: “Portugezët donin ta provonin më parë. Mendes më pyeti për potencialin e tij. I thashë ndihmësit tim ta testonte para syve të tij. Ai i hodhi disa topa dhe nuk ishte e nevojshme më shumë. Ederson nuk ishte ende 16 vjeç asokohe. Tani është portieri më i shtrenjtë në botë”.
Trupi i Ederson është një album me tatuazhe. “Shumë, – thotë Giba. – Ka më shumë se 30 tatuazhe, që e mbulojnë lëkurën e tyre, nga qafa deri tek kyçet e këmbës. Përmes tyre përshkruhet jeta e tij: kujtime familjare, imazhe dhe mesazhe fetare (unë i përkas Jezusit, lexohet në gjoksin e tij), shqiponja e klubit të dashur të të tij, Benfica, që rrëmben një top, trofeu i Ligës Portugeze. 1993, viti i lindjes, është përjetësuar poshtë nofkës së qafës së tij… Në lëkurën e tij ka mbetur vend edhe për diçka të madhe; trofeun e Ligës së Kampionëve”.