Policia në Pejë ka arrestuar një person të dyshuar për përdorim të armës dhe posedim të substancave narkotike
I dyshuari raportohet të ketë shtënë me armë zjarri pasditen e 11 nëntorit, ku një plumb e ka goditur shtëpinë e një personi.
“Policia e Kosovës, konkretisht njësiti policor pranë Stacionit Policor në Pejë, me datën 11.11.2019 rreth orës 17:40, në Pejë, janë njoftuar se janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri dhe një plumb ka goditur shtëpinë e viktimës mashkull shqiptar.
Policia me të marrë informatën menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe pas kontaktit me viktimën ka kuptuar se derisa ishte duke qëndruar në dhomën e ndejës fillimisht ka dëgjuar një të shtënë të armës, ku sapo është ngritur në këmbë ka dëgjuar edhe dy të shtëna dhe nga këto të shtëna është goditur shtëpia e tij”, njofton policia.
Po ashtu, bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit të Shtetit është bërë bastisja e shtëpisë së të dyshuarit: J. G. i lindur me 1974 m/k/sh, ku gjatë bastisjes është gjetur dhe është konfiskuar arma e cila dyshohet se është përdorur në rast dhe një sasi e substancave narkotike të dyshuara kanabis.
I dyshuari është arrestuar dhe është sjellë në stacion, ku me vendim të prokurorit të Shtetit ndalohet për 48 orë.
Me këtë rast, Policia e Kosovës u bën apel qytetarëve që të mos mbajnë armë në mënyrë të kundërligjshme
Posedimi i armëve në mënyrë të kundërligjshme nga ana e qytetarëve, në çdo kohë mund të paraqesë rrezik. Ky fakt dokumentohet në incidente të natyrave të ndryshme.
Të shtënat me armë ndalohen me ligj dhe mund të shkaktojnë vdekje apo plagosje të panevojshme të njerëzve, prandaj APELOJMË që të ketë konsideratë çdo qytetar në këtë drejtim, me që Policia detyrohet të veprojë në çdo vend dhe në çdo kohë, për të ndaluar veprimet e kundërligjshme dhe ndaj të gjithë kryesve të veprave do të merren masa adekuate ligjore.