Një fëmijë 10 vjeç është kafshuar nga një qen endacak në Tiranë. Pamjet e publikuara nga Top Channel tregojnë fëmijën nga një zonë periferike e kryeqyteti, të kafshuar nga qeni dhe më pas të trajtuar menjëherë në spital.
Ka qenë i ati i fëmijës, Odise Koka, i cili ka denoncuar rastin pranë institucioneve vendore, të cilat merren me trajtimin e qenve endacakë të qytetit.
Babai i 10-vjeçarit tregon se djali i tij ishte duke luajtur me shokët e lagjes, në rrethinat e zonës, kur një qen agresiv ka sulmuar papritur fëmijët.
Pavarësisht, se ata janë mbrojtur, 10-vjeçari nuk ka arritur t’i shpëtojë sulmit të qenit endacak, i cili mësohet të ketë qenë i llojit pitbull.
Odise Koka, shprehet se dëmi fizik, e më pas ai emocional për djalin e tij dhe familjen e tyre është shumë i madh dhe kërkon nga institucionet që të merren masa.
Ai tregon se nuk është normale që në vitin 2021, të flitet akoma për qen që sulmojnë fëmijët në mes të qytetit.
Nga ana tjetër, mësohet se Bashkia e Tiranës, ka vepruar duke e kapur qenin dhe e trajtuar atë me anë të sterilizimit, procedurë kjo në fuqi, e cila po aplikohen prej disa vitesh tashmë.
Por, kjo situatë mesa duket ka sjellë pakënaqësi mes aktivistëve në mbrojtje të kafshëve, të cilët protestojnë para Bashkisë së Tiranës mbi kapjen e qenit endacak, i cili kafshoi në mënyrë makabre fëmijën 10-vjeçar.