Policia e Kosovës ka arrestuar drejtorin e Infrastrukturës në komunën e Drenasit, Idriz Hysenaj.
Sipas policisë ai kishte keqpërdorur pozitën e tij zyrtare për interesa personale dhe të kompanisë së tij që merret me ndërtimin e objekteve banesore, njofton Klan Kosova.
“Policia e Kosovës me njësitë relevante për hetimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit në rajonin e Prishtinës, me autorizim edhe të Prokurorisë kompetente, bazuar në informacionet e pranuara për keqpërdorime të mundshme në komunën e Drenasit, pas hetimeve disamujore ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe ka rezultuar se, i dyshuari me iniciale (I.H) drejtor i Infrastrukturës në komunën e Drenasit, për interesa personale dhe të kompanisë së tij (kompani për ndërtimin e objekteve banesore) ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar”, thuhet në komunikatë.
“Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore të nevojshme, sigurimin e dëshmive, intervistimin e palëve dhe intervistimin e personit të dyshuar me iniciale të lartpërmendura (I.H), i njëjti është arrestuar dhe me vendim të prokurorit kompetent dërgohet në mbajtje prej 48 orësh për procedura të mëtejme”.