Policia e Teksasit në Shtetet e Bashkuara njoftoi se një djalosh trevjeçar ka vdekur pasi është lënë në veturë me xhama të mbyllur nga prindërit e tij kur temperatura brenda saj ishte e lartë.
Djali i vogël dhe prindërit e tij sapo ishin kthyer nga një lojë ku luante vëllai i tij. Prindërit kishin harruar se e kanë lënë djalin në veturë dhe u kthyen për ta marrë atë, por ai kishte mbetur pa ndjenja.
“Ky rast ka të bëjë me prindër që thjesht u habitën. Ata e gjetën djalin pa ndjenja në veturë, e nxorën jashtë dhe i filluan masat për shpëtimin e jetës, por nuk patën sukses”, tha Jesse Salame, zyrtar policor në San Antonio.
Ai shtoi se kjo është një tragjedi e tmerrshme dhe tha se të dy prindërit kishin menduar se njëri prej tyre tashmë e ka nxjerrë djalin nga vetura dhe se nuk kishin nevojë ta kontrollonin veturën përsëri.
Sipas të dhënave, temperature në San Antonio të shtunë ka qenë rreth 34 gradë, ndërsa besohet se temperatura brenda veturës ka qenë shumë më e lartë.
Sipas një organizate që merret me këto raste, ky është fëmija i 43-të që vdes nga qëndrimi mbyllur në veturë të nxehtë vetëm këtë vit në Shtetet e Bashkuara, shkruan “Fox News”, transmeton Gazeta Express.