Përkrahësit e pushtetit thonë se Albena Reshitaj tregoi se është e padëgjueshme ndaj urdhërave të partisë dhe se vendosi vetë për votën e saj. Reshitaj thotë se mori pjesë në votim për arsye parimore. Të tjerë e listojnë votimin e saj si pjesë të pazareve me pushtetin. Cila do të jetë e ardhmja politike e deputetes opozitare, që mori pjesë në votimin, ku Vjosa Osmani u zgjodh presidente?
Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj nuk e ka përfillur vendimin e Kryesisë partisë për të mos qëndruar në sallë dhe për të mos e votuar Vjosa Osmanin për presidente. Ajo ishte e vetmja nga partia e Ramush Haradinajt që të dielën votoi për Vjosa Osmanin. E pas këtij veprimi nga AAK-ja u shtuan zërat përjashtues ndaj saj. Zakonisht votat përcaktuese për Presidentin, që janë garantuar nga deputetë në momentin e fundit, janë cilësuar si vota të pazareve. Reshitaj thotë se vota e saj ishte parimore.
Për mundësinë e përjashtimit nga partia ka folur edhe vet Reshitaj.
Ajo për Express tha se nga partia mund të përjashtohet vetëm përmes Kryesisë dhe jo në ndonjë mënyrë tjetër.
“Nëse ata vendosin diçka ndryshe në Kryesi sepse sipas Nenit 7 të Statutit të AAK-së se si lirohet anëtari nga partia, domethënë shkon përmes kërkesës që vjen nga nëndega. Unë jam anëtare e njërës nga nëndegët më të mëdha të Degës së Suharekës. Ajo kërkesë nga nëndega kalon në degë dhe pastaj në Kryesi. Pastaj mblidhet Kryesia dhe vendos, votohet për lirim dhe nëse merr shumicën e votave atëherë lirohet anëtari i partisë”, ka thënë ajo për Express.
Deputetja Albena Reshitaj dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit
Sipas saj në rast se AAK-ja merr vendim përjashtues ndaj saj, e njëjta do të kalojë si deputete e pavarur në Kuvendin e Kosovës.
“Procedura tjera nuk ka vetëm kjo. Nëse vendoset diçka në ndërkohë që unë nuk e di dhe që më njoftojnë pastaj që jam përjashtuar atëherë unë kaloj në deputete e pavarur. Unë nuk kam bërë asnjë marrëveshje dhe nuk kam pranuar asnjë marrëveshje. Vendimi im është ky. Unë do të kalojë deputete e pavarur nëse partia merr ndonjë vendim. Unë jam nënkryetare e Aleancës, anëtare e Kryesisë, anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të Partisë dhe deputete e AAK-së”, ka thënë më tutje ajo.
E vendimi për veprimet e saj ende nuk është iniciuar as në Degën e AAK-së në Suharekë, pjesë e së cilës është edhe Reshitaj. Kryetari i Degës së AAK-së në Suharekë, Bali Muharremaj ka thënë për Express se në AAK mendimi ndryshe lejohet dhe se AAK-ja nuk është parti përjashtuese.
“Unë nga koha që jam në Aleancë nuk e di që ka marr ndonjëherë vendim Kryesia e partisë për ta larguar dikë nga partia dhe në fund të fundit ajo është deputete e Kuvendit të Kosovës dhe mendimi ndryshe tek Aleanca respektohet. Kjo është çasja e Albenes për vendimin që e ka marr. Jemi në demokraci dhe mundemi me mendu ndryshe. Vendimi në Kryesi është marr ndryshe por ajo e ka marr vendimin e saj. Në si Kryesi kemi vendosur që të mos shkojmë ajo ka shkuar por në fund të fundit ajo e ka marr votën e qytetareve dhe ka shkuar”, ka thënë ai për Express.
Raportimet se Reshitaj mund të përjashtohet nga AAK-ja pas vendimit për ta votuar Vjosa Osmanin presidente, Muharremaj i ka quajtur thashetheme.
“Ato janë thashetheme. Çfarë shkruajnë portalet nuk e di. Unë jam kryetar komune, kryetar i Degës, anëtarë i Kryesisë dhe deri më tani nuk kemi marr vendim. Deri më tani në AAK nuk kemi marr vendim për përjashtime” , ka thënë ai.
Në ndërkohë, anëtari i Kryesisë së AAK-së, Pal Lekaj ka deklaruar për Express, se strukturat e partisë nuk e kanë shqyrtuar ende veprimin e deputetes dhe se nuk kanë marr ende vendim për të.
“AAK me kohë ka informuar qytetarët që nuk do merr pjesë në votim për kandidaten për presidente të Kosovës Vjosa Osmani dhe deputetët nuk do të qëndrojnë në sallë për ta mundësuar kuorumin. Deputetja Albena Reshitaj nuk i ka përfillur vendimet e partisë, ajo është munduar ta arsyetojë qëndrimin në sallë dhe votën pro Presidentes edhe pse vota e saj nuk ka qenë vendimtare. Strukturat e AAK-së ende nuk e kanë shqyrtuar veprimin e deputetes në fjalë dhe nuk kanë marrë ndonjë vendim”, ka deklaruar ai për Express.
Në ndërkohë pas përfundimit të seancës ku u zgjodh presidentja e re e vendit, Reshitaj deklaroi se një nga arsyet pse ajoi e votoi Vjosa Osmanin ishte që të mos e lejojë Listën Serbe që të bllokojë vendin.
“Me një rëndësi jashtëzakonisht të madhe në integritetin e shtetit të Kosovës, është fakti se ne nuk mund të lejojmë që Lista Serbe të arrijë që ta bllokoj vendin me direktiva nga politika e Beogradit ashtu siç kemi qenë të detyruar në të kaluarën”, ka shkruar ajo dje në një postim në “Facebook”.
Në ndërkohë sipas statutit të AAK-së, Neni 7, statusi i anëtarit në AAK, pushon: a. Me kërkesën e anëtarit; b. Me përjashtimin e anëtarit; c. Me vdekjen e anëtarit.
Sipas këtij statuti vendimin për përjashtimin e anëtarit e merr Kryesia e AAK. Kryesia e Partisë merr vendim për përjashtimin e anëtarit: a. Me propozim të Komisionit Etik; b. Me propozim të Degës; c. Me propozim të Nëndegës; d. Me propozim të Kryesisë së AAK.
E përjashtimi i një anëtari sipas statutit të AAK-së bëhet nëse: anëtari është anëtarësuar në subjekt tjetër politik; merr pjesë në listë/garë zgjedhore të subjekteve të tjera politike pa aprovim të Kryesisë së AAK; merr funksion të të emëruarit politik në institucione të qeverisura nga partitë tjera pa aprovimin e Kryesisë së AAK; kur me veprimet dhe qëndrimet e veta dëmton imazhin dhe funksionimin e AAK.