Nga Thesari i Shtetit u vodhën mbi 2.1 milionë euro, të cilat shkuan në llogari të një operatori ekonomik.
Lidhur me këtë u suspenduan dy punëtorë të Thesarit të Shtetit, ndërsa mjetet të cilat u vodhën u tërhoqën pikërisht nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës më 9 tetor, derisa rasti u denoncua më 20 tetor.
Në një konferencën e mbajtur asokohe, Hykmete Bajrami e cila drejtonte Ministrinë e Financave deklaroi se këto mjete u tërhoqën nga llogaria derisa shtoi se mjetet e buxhetit të Kosovës janë në Bankën Qendror të Kosovës dhe se janë të siguruara.
“Bëhet fjalë për 4 transaksione të dyshimtë, të cilat kanë ndodhur nga llogaria e Thesarit të Kosovës, që është në kuadër të ministrisë. Ky është një transaksion bankar dhe kemi gjurmuar të gjitha transaksionet e kryera si rezultat i këtij transaksioni. Institucionet e rendit janë duke u marrë me gjetjen e përfituesit fundorë të këtij transaksioni, i cili është keqpërdorim i detyrës zyrtare, keqpërdorim i autorizimeve ligjore, të cilat i ka pasur zyrtari dhe po bëjmë përpjekje maksimale që këto mjete t’i kthehen buxhetit të Kosovës”, pati deklaruar Hykmete Bajrami.
Por pas katër muajve nga avullimi i miliona eurove të shtetit të Kosovës, Hykmete Bajrami dha dorëheqje nga pozita e ministres, duke thënë se kjo po bëhet për arsye personale. Anipse një proces gjyqësor është duke u zhvilluar në kuadër të personave të dyshimtë të inkriminuar në këtë rast, paratë në fjalë nuk u kthyen asnjëherë në plotni.
Më 2 shkurt të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë mori vendim që t’ia vazhdojë edhe për dy muaj paraburgimin Kadri Shalës, i dyshuar për vjedhjen e 2 .1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
Kadri Shala ishte vetë-dorëzuar në polici për “avullimin” e këtyre miliona eurove, pas disa ditësh kërkimi nga autoritet e hetuesisë në vend. Ditë më parë Gjykata Themelore i vazhdoi paraburgimin edhe të dyshuarit tjetër për vjedhjen e 2.1 milionë eurove, Labinot Grudës. Grudës iu vazhdua paraburgimi deri më 17 mars 2021.
Lidhur me gjithë këtë, lajmi.net ka kontaktuar njohësin e ekonomisë, Safet Gërxhaliu i cili deklaroi se dorëheqja e Hykmete Bajramit është e vonuar, por ishte e qëlluar.
Sipas tij në Kosovë sot u realizua një aksion i qëlluar, pas zgjedhjeve të fundit të cilat sipas tij ishin referendum dhe pati një dalje kaq të madhe.
“Besoj se çdokush do të ketë shtirje në kuadër të institucioneve të rendit dhe ligjit, të largimit të zyrtarëve nga pozita të ndryshme. Sot jemi dëshmitarë të asaj që është larguar zonja Bajrami nga ushtruesja e detyrës së Ministres së Financave. Besoj që është një akt i cili jep hapësirë që të kuptohet se në të vërtetë në Kosovë ka hapësirë të madhe për punë nga organet e rendit dhe të ligjit, në rend të dytë në kohën e saj ka munguar komunikimi i mirëfilltë qoftë në media qoftë me publikun apo bizneset, për çka shumë herë kanë bërë pyetje në aspektin profesional ky Hykmete Bajrami s’ka pas të bëjë, por që në kuadër të stafit të saj sa ajo ka qenë ministre ka ndodhur skandali në Thesarin e Kosovës e që është dukuri tjetër që të jep hapësirë që vërtetë se ka parë të arsyeshëm qëndrimin e saj në këtë post, të bazuar në një fakt tjetër”, tha Gërxhaliu.
Madje sipas tij nuk është konfirmuar zyrtarisht, por që në kuadër të kësaj historie ka të bëjë edhe me transfere të tjera të parave, e për të cilat po hezitohet të hetohen , e që ndoshta ky ishte edhe një motiv shtesë që Hykmete Bajrami të largohet nga drejtimi i Ministrisë së Financave.
“Për mua nuk është konfirmuar zyrtarisht por këtu s’ka të bëjë vetëm me një transfer të parave por edhe shumë tranfere të tjera të cilat po hezitohen të hetohen dhe e gjithë kjo ndoshta ka qenë një motiv shtesë që ajo të largohet. Kundrejt kësaj e shoh si një debakël të partisë së saj pra LDK, besoj se është prit një hap i tillë dhe ndoshta edhe tek të tjerët.Në fakt është vendim i vonuar nga ana e saj, por që është i qëlluar duke pas parasysh profesionalizimi i Hykmete Bajramit”, shtoi ai.
Ndërsa Hykmete Bajrami në letrën e saj të dorëheqjes të drejtuar sot tek kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti deklaroi se dorëheqja e tij vije për arsye personale.
Madje ajo deklaroi se tash e tutje pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror Zgjedhor do të fokusohet vetëm në angazhimin e saj si deputete e Kuvendit të Kosovës.