Zyrtarët irakianë kanë njoftuar se së paku dy persona janë vrarë dhe 200 të tjerë janë lënduar gjatë përleshjeve mes protestuesve dhe forcave të sigurisë në Bagdad dhe Nasiriyah.
Qindra protestues u mblodhën të martën në sheshin kryesor të kryeqytetit irakian për të protestuar kundër korrupsionit, papunësisë dhe shërbimeve të dobëta publike, përfshirë reduktimet e ashpra të energjisë elektrike dhe mungesës së ujit.
Disa protestues mbanin në duar portrete të komandantit të popullarizuar ushtarak, gjeneralit Abdulëahab al-Saadi. Shkarkimi i tij nga pozita e udhëheqësit të Shërbimit Kundër Terrorizmit kishte nxitur reagime dhe kundërthënie të shumta.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës, kamionë me ujë dhe të shtëna me armë për t’i shpërndarë protestuesit.
Ministria e Shëndetësisë tha se një person ka vdekur dhe 200 janë plagosur. Në mesin e të plagosurve janë 160 civilë dhe 40 anëtarë të forcave të sigurisë.
Kryeministri i Irakut, Adel Abdel Mahdi, i cili erdhi në pushtet vitin e kaluar, ka premtuar se do të krijojë vende pune për personat e diplomuar, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.