Dy autobusë me pelegrinë dhe alpinistë janë kthyer mbrapsht në Jarinjë nga policia e Kosovës. Portali serb Kossev raporton se sipas një dokumenti që u është lëshuar grupit të vizitorëve thuhet se autobusi është me 83 pasagjerë dhe arsyeja e ndalimit për të hyrë në Kosovë është se asnjë kërkesë për vizitë të organizuar nuk është paraqitur.
Një nga organizatorët e Asociacionit të Studentëve të Pavarur nga Beogradi, Marko Jeliq në një deklaratë për Kossev ka thënë se ata kanë organizuar tradicionalisht këto vizita nëpër manastire dhe monumente në Kosovë dhe ata(policia) kanë qenë të njohur me procedurat në kufi.
“Ne kemi arritur në ora 3:00 të mëngjesit. Na kanë thënë të presim. Rreth orës 8 në mëngjes një polic i Kosovës erdhi dhe na tha se na refuzohet hyrja në territorin e Kosovës sepse s’kemi paraqitur një njoftim për të hyrë. Pastaj ata na dhanë një copë letre ku shkruhej se ne jemi refuzuar dhe kemi pesë minuta kohë për tu kthyer mbrapa në Serbi”, tha ai.
Ai tha poashtu se deri më tani asnjëherë s’kanë njoftuar për vizitat dhe se kanë ardhur në Kosovë pothuajse çdo muaj.